Protestës së qytetarëve tek teatri i është bashkuar edhe ish-ministri i Financave Arben Malaj. Ai i ka bërë thirrje ministres së Kulturës për largimin e forcave të policisë.
Ai gjithashtu i është drejtuar dy ish-kolegëve të tij në Partinë Socialiste, Pandeli Majkos dhe Erjon Braçes duke i kërkuar të reagojnë nëpërmjet Kuvendit për vendosjen e qetësisë publike.
“Majko dhe Braçe nëse e duan këtë vend duhet të nxjerrin një vendim qarkullues për mos-prekjen e teatrit dhe vendosjen e qetësisë publike. Nëse nuk veprojnë Majko dhe Braçe, i takon Kuvendit dhe Gramoz Ruçit që të mbledhë deputetët nga pushimet dhe me një ligj me vetëm një paragraf të thuhet se ndalohet hyrja në teatër dhe më pas të gjendet një zgjidhje”, u shpreh Malaj nga protesta.
Aktivistët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit kanë ngritur dyshime për personat e paautorizuar që kanë hyrë brenda godinës dhe i tremben ndonjë incidenti të qëllimshëm për të dëmtuar teatrin. /Opinion.al