Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka uruar gjithë gratë shqiptare me rastin e 8 marsit. Në mesazhin e tij, Basha thotë se kjo është një ditë për të kujtuar sakrificat që gratë shqiptare kanë bërë për të përballuar kushtet e vështira ekonomike. Ai gjithashtu shkruan se “Ne do të bëjmë gjithçka për t’u dhënë mundësi grave të kenë peshën dhe rolin që meritojnë në shoqërinë tonë.”
Mesazhi i Lulzim Bashës:
8 marsi është një ditë e veçantë për të kujtuar dhe reflektuar mbi sakrificën e përditshme të nënave, grave e vajzave në vendin tonë. Sakrificën për të përballuar kushtet e vështira ekonomike e pasigurinë, sakrificën për të rritur dhe edukuar fëmijët, sakrificën e përditshme të mijëra nënave për të siguruar ushqimin e mjaftueshëm për fëmijët e tyre, sakrificën për të gjetur një punë, sakrificën e atyre që punojnë në kushte të vështira e me paga të pamjaftueshme për të paguar as ujin e energjinë e rritu, për të kujtuar sakrificën e nënave që punuan një jetë, por pensionin e kanë të pamjaftueshëm edhe për të blerë ilaçe.
Kjo është edhe një ditë-reflektim për atë që duhet të bëjmë për gruan, për t’i garantuar një jetë më të mirë, vende pune me kushte dhe paga më të mira. Mundësi për arsimim të fëmijëve pavarësisht kushteve të tyre ekonomike. Ne do të bëjmë gjithçka për t’u dhënë mundësi grave të kenë peshën dhe rolin që meritojnë në shoqërinë tonë.