Qeveria pritet të miratojë një paketë reformash ekonomike, të nxitur nga protestat masive gati një javore kundër elitës në pushtet. Protestuesit po kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Saad Hariri dhe gjithë qeverisë së tij, duke e fajësuar korrupsionin zyrtar për situatën gjithnjë e më të rëndë ekonomike në Liban.
Protestuesit i vunë zjarrin koshave të mbeturinave dhe i përdorën ato si barrikada në rrugët kryesore të Bejrutit përpara takimit të kabinetit qeveritar, ndërsa në media sociale u bëhej thirrje njerëzve të bojkotonin punën, dhe bankat, universitetet dhe shkollat mbyllën dyert e tyre.
“Dje, tre milion libanezë dolën në rrugë për të bërë thirrje për ndryshim. Sot ne po u bëjmë thirrje njerëzve që të dalin në rrugë dhe të mos rrinë në shtëpitë e tyre. Ata po përpiqen të na frikësojnë duke thënë se qeveria mund të kërkojë ndihmën e ushtrisë për të ruajtur sigurinë. Ne nuk jemi të frikësuar, ne mbështesim ushtrinë dhe ushtria është me popullin”, thotë Wissam Ramadan, protestues nga Bejruti.
Protestat filluan të enjten e kaluar për shkak të një propozimi për vendosjen e një takse ndaj mesazheve të telefonisë celulare.
Qindra mijëra protestues u mblodhën në rrugët e kryeqytetit libanez të dielën, protesta më e madhe masive që nga viti 2005.
“Unë personalisht do të qëndroj në rrugë dhe shpresoj që këtë do ta bëjnë edhe njerëz të tjerë. Unë mendoj se kemi tejkaluar frikën dhe vërtetuam se ky sektarizëm është vetëm sipërfaqësor. Njerëzit janë të uritur. Ata nuk mund t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë. Çfarë mund të them më shumë?”, thotë Carlos Julien, protestues nga Bejruti.
Propozimi për taksën u tërhoq menjëherë, por protestat evoluan në kërkesa për një ndryshim gjithëpërfshirës të sistemit politik, me ankesa që shkonin nga masat shtrënguese e deri te infrastruktura e dobët.
Protestuesit po kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Saad Hariri dhe gjithë qeverisë së tij, duke e fajësuar korrupsionin zyrtar për situatën gjithnjë e më të rëndë ekonomike në Liban. /Burimi: VOA