Me 65 vota pro dhe 3 kundër deputetët votuan Qeverinë teknike e cila do të jetë në funksion 100 ditë.
Deputetët e VMRO-DPMNE-së ndonëse ishin në sallë ata ashtu edhe siç paralajmëruan nuk votuan qeverinë teknike, ndërkaq deputetët e opozitës shqiptare nuk ishin prezent në sallë.
Qeveria teknike e Xhaferit ka mandat organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare të caktuara për 8 maj. Më herët, në fjalimin e mbajtur para Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Xhaferi ka treguar prioritetet e qeverisë teknike të 100 ditëve.
“Qeveria në mënyrë direkte dhe në bashkëpunim me Kuvendin, BE-në dhe SHBA-në do të organizoj zgjedhje të lira dhe demokratike ku do të reflektohet vullneti i qytetarëve. Qeveria do të vazhdoj t’i realizoj të gjitha reformat për integrim të vendit në BE. Qeveria do të vazhdoj politikat për arsimim kualitativ, sepse investimi në arsim është investim në shtet. Reformat në administratën publike”, tha Xhaferi.
Sundimi i së drejtës, lufta kundër korrupsionit mbeten politika thelbësore të Qeverisë.