“Panorama” sjell fotot e tre tutorëve, të cilët u arrestuan ditën e djeshme, në kuadër të një operacioni kundër prostitucionit.
Në pranga ranë 7 persona, mes tyre edhe dy vajza, që shfrytëzoheshin për prostitucion. Tre prej të arrestuarve kishin rolin e tutorëve, dy të tjerë janë klientë.
Oficerët e Seksionit Kundër Trafiqeve të Paligjshme kishin nisur një procedim rreth 9 muaj më parë dhe duke përdorur metodat speciale të hetimit, bënë të mundur dokumentimin e veprimtarisë së jashtëligjshme.
Burime zyrtare të Policisë thanë se rrjeti drejtohej nga shtetasit Nik Gjonikaj, 48 vjeç, i dënuar më parë për prodhim të lëndëve narkotike, Besnik Manka, 35 vjeç, dhe Bledian Nurja, 32 vjeç.
Forcat e Policisë ndërhynë të mërkurën, rreth orës 21:00, në një prej moteleve në afërsi të Vaqarrit, duke arrestuar në flagrancë dy vajzat që po ushtronin prostitucion, Aureta B., 27 vjeçe, e Domenika D., 23 vjeçe, si dhe dy klientët, Melsi M., 52 vjeç, e Hajredin S., 37 vjeç.
Prostitucioni
Sipas hetimeve që ka kryer Policia e Tiranës, dyshohet se Nik Gjonikaj në bashkëpunim me Besnik Mankën dhe Bledian Nurjën, sipas porosive të klientëve me qëllim prostitucioni siguronin vajza të moshave të ndryshme për këtë aktivitet kriminal kundrejt pagesës.