Pas një muaji do ta nisë rrugëtimin e saj presidencial si zonja e parë e Kosovës. Por, që 19 vite i qëndron përkrah presidentit të sapozgjedhur të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçit. Zonja e parë e shtetit, Lumnije Gërxhaliu-Thaçi, ndonëse ishte martuar në një periudhë të vështirë me presidentin e zgjedhur Hashim Thaçin, kur ai ishte një i përndjekur politik për shkak të angazhimit dhe bindjeve të tij politike, ajo i qëndroi gjithnjë afër duke e përkrahur në rrugën që kishte zgjedhur.
28 korriku i vitit 1997 ishte dita kur ata kurorëzuan dashurinë dhe së bashku kanë 19 vite martesë. Presidentit të zgjedhur, Hashim Thaçit, asokohe i ishte dashur që përkohësisht të vendosej në Zvicër për shkak të dënimit me 10 vite burgim në mungesë nga regjimi serb. Ceremonia e martesës së tyre ishte e pamundur që të zhvillohej në Kosovë, prandaj zonja e parë i ishte bashkuar Thaçit në Zvicër, i cili pas pak kohësh ishte rikthyer në Kosovë për t’u bërë pjesë aktive e luftës së UÇK-së.
Por, kush është zonja e parë e Kosovës?
Lumnije Gërxhaliu-Thaçi, ka lindur në Vushtrri më 12 dhjetor 1971. Ka magjistruar në drejtimin “Banka, Financa dhe Kontabilitet” në vitet 2007-2009. Pas magjistraturës së parë, në vitet 2009-2011 ka magjistruar edhe në drejtimin “Menaxhment” dhe tash është kandidate për PhD në Ekonomi. Ajo është ligjëruese e lëndëve ekonomike në kolegjin “Fama” në Prishtinë. Zonja e parë e Kosovës, që nga viti 2012 merret edhe me aktivitete humanitare dhe sensibilizuese për dukuri të ndryshme që ndërlidhen me fëmijët dhe është kryetare e fondacionit “Fëmijët e Kosovës”. Presidenti Thaçi dhe zonja e parë kanë edhe një djalë, Endritin, i cili ka lindur më 13 prill 1999 dhe tash i mbush 17 vjet. /KP