Ditë të mira mbërrijnë më në fund për futbollistin e Kombëtares Kuqezi që aktivizohet në kampionatin grek me skuadrën e PAOK, Ergys Kaçe. Mesfushori shqiptar më në fund rikthehet të luajë si titullar me skuadrën e tij teksa ka qenë në fushë për plot 90 minuta në ndeshjen që PAOK fitoi në transfertë ndaj Panaitolikos me rezultatin e thellë 3-0. Rikthimi i Kaçes në formacionin e PAOK korrenspondon me ndryshimin e trajnerëve në pankinën e ekipit grek, teksa serbi Vladimir Ivic ka marrë vendin e kroatit Igor Tudor.
Kjo e para dy ditëve ishte ndeshja e 15-të në të cilën aktivizohet Kaçe gjatë këtij sezoni, nga 26 javë kampionati të zhvilluara, prej të cilave vetëm 10 ndeshje i ka nisur nga minuta e parë. Një bilanc ky aspak pozitiv për futbollistin e talentuar të Përfaqësueses së Shqipërisë, për shërbimet e të cilit është interesuar konkretisht edhe Interi i Milanos. Gjithsesi, sikurse pohojnë edhe vetë mediat greke, gjërat për Kaçen kanë ndryshuar me reformën në krye të pankinës, teksa shqiptari duket se është mes të preferuarve të serbit Ivic, ndryshe nga paraardhësi i tij. Një situatë e përmirësuar kjo për Kaçen që padyshim ndikon pozitivisht edhe në lidhje me shanset e tij për tu grumbulluar me Kombëtaren, për në “Euro 2016”.