UEFA ka vendosur të gjobisë Federatën Kroate të Futbollit për trazirat që tifozët e saj bënë në ndeshjen ndaj Republikës Çeke në ndeshjet e dyta në grupe të Euro 2016. Edhe pse u përfol për një përjashtim të mundëshëm të ekipit ballkanas, dënimi që komisioni i disiplinës në UEFA dha për Kroacinë ishte më i lehtë, një gjobë me vlerën e 100 mijë eurove. Gjithçka erdhi në përfundim të hetimit që UEFA bëri ndaj tifozëve kroatë, problematikë në këtë Europian të futbollit, duke bërë që ndeshja ndaj Çekisë të ndalet për disa minuta.
Përveç kësaj, Federata Kroate nuk do t’i shesë më bileta tifozëve të identifikuar si problematikë dhe të pezulluar për të ndjekur ndeshjet e kombëtares deri në fund të këtij turneu. Në ndeshjen ndaj Republikës Çeke, pak minuta nga fundi dhe në rezultatin 2-1 për Kroacinë, tifozët kroatë hodhën tymuese në fushë dhe takimi u ndal për disa minuta. Pasi situata u qetësua ndeshja rinisi dhe çekët barazuan në shtesë 2-2, por UEFA nisi një hetim për ngjarjen, që u mbyll me një gjobë të lehtë.