Pavarësisht apelit dhe presionit të ardhur nga fuqitë ndërkombëtare dhe nga vendet fqinje, Koreja e Veriut duket se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga misioni i saj për të lëshuar një satelit në hapësirë.
Qeveritë e Koresë së Jugut dhe të Japonisë, kanë deklaruar se Pyongyang-u ka përshpejtuar edhe procedurat për lançimin e raketës. Sipas burimeve të inteligjencës thuhet se kjo gjë pritet të ndodhë midis datave 7 dhe 14 shkurt.
Në rast se Koreja e Veriut do t’a dërgojë deri në fund misionin e saj, atëherë ajo do të shkelë automatikisht një sërë rezolutash të Këshillit të Sigurisë pranë OKB-së, e cila e ndalon qeverinë e Pyongyangu-t nga kryerja e cfarëdo lloj testimi, që lidhet me armët nukleare ose me raketat.