Policia e Tiranës ka konfirmuar se në mjetin tip “Benz” të parkuar pranë shkollës 9-vjeçare “Niket Dardani” ishte vendosur një sasi prej 400 gr eksploziv të dyshuar si C4. Pakoja në fjalë ishte mbështjellë me natriban dhe ishte vendosur poshtë sediljes së pasme të pasagjerit. Dyshimet e para erdhën nga pronari i mjetit, Shefqet Rrapi, i cili pa xhamin e pasme të mjetit që ishte thyer. Ai njoftoi Policinë dhe ajo mbërriti në vendngjarje ku gjeti pakon e mbështjellë me natriban në të cilën kishte eksploziv dhe një qark elektronik që furnizohej me bateri. Skuadra antieksploziv arriti ta çaktivizonte bombën. Ndërkohë, në pyetje janë marrë edhe pronari i mjetit, Shefqet Rrapi, edhe personi që drejtonte automjetin me lejen e tij, Ariel Rrapi.