Ditën e sotme prindërit e 14-vjeçarit të vrarë pranë shkollës “Fan Noli” nga një bashkëmoshatar i tij, i janë drejtuar me një letër të ngarkuarës me punë në ambasadën e SHBA-së në Tiranë, Nancy VanHorn.
Për të folur më shumë mbi këtë si dhe zhvillimet në hetimet ndaj kësaj ngjarje në një lidhje direkte me Klan News ishte avokati i familjes Cani, Redi Ramaj, i cili u shpreh se kjo çështje duhet të zbardhet sa më shpejtë.
Avokati Ramaj kërkoi transparencë dhe hetim të plotë dhe që kjo ngjarje të mos kalohet si diçka normale.
Redi Ramaj, avokat i familjes Cani: Për të hequr sa ka mundësi atë dramë të familjes të kemi të gjithë ato pikat e errëta të ngjarjes të zbardhura, kemi kërkuar dokumentacionin që lidhet me ngjarjen duke filluar nga dëshmitë, duke vazhduar me aktet e ekspertimit dhe duke përfunduar edhe me kamerat për ato që ka mundur të kapet. Kemi kërkuar nga institucionet nga shkolla Fan Noli dhe Drejtorinë Arsimore të gjithë dokumentacionin dhe njohuritë mbi ngjarjen.
Deri më tani duke qenë se çështja është në hetim ne jemi njohur me një pjesë të dëshmive, materiale që i përkasin edhe të plagosurit, djalit tjetër Luisit dhe me prova që nuk janë shkencore, por me dëshmitarë. Nuk jemi njohur me prova shkencore dhe me kamerat nga vendngjarja.
Në momentin që do të kemi të gjithë dokumentacionin ne mund të themi nëse ka tentative për ta zvaritur si proces, për të mbrojtur dikë tjetër, nuk e di, por deri tani që flasim nga dijenia jonë të paktën nga veprimet e prokurorisë është marrë masë për tu kryer veprimet hetimore të domosdoshme. Kërkojmë transparencë dhe hetim të plotë në mënyrë që rasti i Martin Canit të mos kalojë si diçka rutinë e Policisë, por të hetohet intensivisht që të zbulohet e vërteta.
Sa i përket letrës nga familja e 14-vjeçarit të vrarë, avokati theksoi se prindërit e kanë menduar si zgjidhja më e mirë për transparencë.
Redi Ramaj, avokat i familjes Cani: Së pari për ta sqaruar letrën. Është një letër nga famija e Martin Canit. Ata kanë menduar që do të ishte një zgjidhje më e mirë që të kishte një transparence duke iu drejtuar edhe një institucioni tjetër që në Shqipëri konsiderohet siç është Ambasada Amerikane. Ky është mendimi im për këtë letër. Kërkojmë që qeveria shqiptare të kryejë të gjithë hetimin që kjo ngjarje të zbardhet.
Ndërkohë sa i takon marrëdhënieve mes dy familjeve, asaj të viktimës dhe asaj të autorit, Ramaj shprehet se nuk ka pasur komunikime pas kësaj ngjarje të rëndë.
“Nga ajo çfarë di edhe nga deklarimet ka thënë që nuk ka pasur komunikime me familjen e të miturit tjetër. Mendoj që deri në këtë moment akoma nuk ka një normalizim marrëdhëniesh”, raporton avokati.
Dy nxënësit u konfliktuan pak metra larg shkollës “Fan Noli” në Tiranë, ku të dy ishin nxënës. 14-vjeçari Martin u godit me thikë nga bashkëmoshatari i tij, duke humbur jetën. Autori i dyshuar është arrestuar nga policia./tvklan.al