Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër jep masën e sigurisë “arrest me burg” për Gjovalin Shkambin, i cili deklaroi se do të vrasin edhe gjyqtarë të tjerë nëse dënohet nipi i tij Elvis Shkambi, i cili vrau gjyqtarin e Apelit, Astrit Kalaja.
Gjykata dha masën “arrest me burg” pa afat për Gjovalin Shkambin, i cili kishte deklaruar: “Edhe gjyqtari që do ta dënojë do të përballet me plumba. Ka 13 vjet që i shkruajmë kryeministrit e të gjithë qeverisë: Na jepni pronën, se ia kemi blerë shtetit! Ai gjyqtar që do ta dënojë ka të njëjtin shpërblim, provat i dhamë. S’na përdhunon kush”.
Më herët gjatë ditës, familja e Gjovalin Shkambit kishte kërkuar publikisht ndjesë për deklaratat e tij.
“E nisim këtë mesazh duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta ndaj familjes së gjyqtarit të ndjerë! Shprehim keqardhje të thellë për gjithë situatën e krijuar pas deklaratave të babait tonë. Kërkojmë publikisht ndjesë për fjalët e thëna prej tij, të cilat, siç ka pranuar edhe vetë, janë shprehur në një moment gjaknxehtësie dhe tronditjeje të madhe. Pavarësisht se drejtësia deri më tani nuk ka arritur ende të vendosë pikën përfundimtare mbi këtë çështje, ne nuk duam në asnjë mënyrë të përdorim gjuhë urrejtjeje ndaj personave që ushtrojnë detyrën e tyre dhe respektojmë proceset ligjore që po zhvillohen. Jemi plotësisht të vetëdijshëm se kërcënimet nuk mund të justifikohen në asnjë rrethanë, por kërkojmë mirëkuptim për gjendjen e rënduar emocionale dhe psikologjike në të cilën ndodhej babai ynë në ato momente”.
“Ne si familjarë e kuptojmë plotësisht madhësinë dhe ndjeshmërinë e kësaj ngjarjeje, por kërkojmë me mirëkuptim që mediat të shmangin sa më shumë përfshirjen në jetën tonë familjare, pasi babai jone është marrë në pyetje dhe është publikuar në momente jashtëzakonisht të vështira dhe në gjendje të rënduar psikologjike. Urojmë që drejtësia dhe qetësia të mbizotërojnë, dhe Zoti të bëjë atë që është më e mira për të gjithë”, shtoi familja.