“Kënga Magjike” mbërrin në stacionin e fundit, në mbrëmjen e ndarjes së çmimeve.
Për secilin nga 21 këngëtarët, produksioni si edhe në edicionet e kaluara të festivalit të muzikës së lehtë moderne shqiptare, do të ndajë nga një çmim sipas kategorive ku konkurrojnë.
Para nisjes së natës finale, ata që janë vlerësuar nga kolegët e tyre si më të mirët e “Kënga Magjike 2016”, po bëjnë provën e fundit teknike, para se të ngjiten në skenë, për të marrë çmimin dhe për të ri-përjetuar emocionet e një finalisti.
Ndryshe nga dy gjysmëfinalet, jurinë të cilën nga programi “E diela Shqiptare” e deri në skenën e Pallatit të Koncerteve, i kemi para si gjyqtarë të zërave të rinj, në natën finale, Juliana Pashës, Olti Currit, Dj. Sardit, Venera Lumanit dhe Ulis Krajkës i është ngarkuar një tjetër mision. Cili është ai? Mbetet për tu zbuluar përgjatë spektaklit.
“Kënga Magjike” nis maratonën e çmimeve, për të shpallur në fund edhe me të mirën për 2016, në orën 20 e 30 në një transmetim të drejtpërdrejt në Televizionin Klan.