Ju, z. Kadare i gjunjëzoheni Vlahutinit, unë iu gjunjëzohem hebrejve të botës për t’ iu kërkuar falje për urrejtjen ndaj tyre që përmban vepra juaj)
Ismail Kadare në letrën e tij për Romana Vlahutin thotë se i gjunjëzohet për t’ i kërkuar falje meqënëse i përket të njëjtit popullsi edhe unë që e paskam fyer Vlahutinin. Ismail Kadare i është gjunjëzuar dikur si shkrimtar bashkëkombasit të Vlahutinit, kroatit të serbizuar Ivo Andriç, autorit të një memorandum famëkeq për ndarjen e Shqipërisë të shkruar për qeverinë jugosllave në Beograd, në 1939. Asnjë shkrimtar dhe intelektual, për të cilin është i shtrenjtë vendi i vet, nuk flet me adhurim për një koleg të huaj që ka bërë planin e coptimit të vendit të tij. Kadare është rast unik.
Kadare është një shkrimtar që e kupton domethënien e fjalëve. Prandaj ai e kupton mirë se, kur Vlahutinin e kanë quajtur në shtypin kroat “zonja e parë hije” e Presidentit të Kroacisë (artikull të cilit unë i referohem), ky është një eufemizëm për fjalën “kurvë”. Aq më tepër kur në artikullin kroat të cilit unë i referohem, tregohen edhe skandale të këtij lloji që ajo i ka bërë së bashku me shefin e saj Presidentin Josipoviç.
Është për t’ u habitur që Kadare dhe Policia e Shtetit në Shqipëri e kanë nderin e Romanës më të shtrenjtë se ajo vetë! Romana nuk ka bërë padi në vendin e saj ndaj autorit të artikullit të mësipërm, për të vënë në vend nderin e saj të cënuar. Kadareja më quan mua një njeri “jonormal”. E thënë nga Kadareja, fjala është kompliment! Sepse vepra e Kadaresë ka qenë instrument zyrtar i diktaturës komuniste për formësimin e normalitetit njerëzor të njeriut skllav të shtetit diktatorial.
Kadare thotë se është gati të përulet në gjunjë para Vlahutinit për të kërkuar ndjesë që fyerjen që iu bë nga shtypi i vendit të tij, dhe për të protestuar që Vlahutini që sipas tij ka ardhur në Shqipëri për “lehtësimin e brengave” ndesh një mosmirënjohje të tillë.
Është kërshërore fraza e zgjedhur nga Kadare: “lehtësimi i brengave”. Është pikërisht ajo çka i kanë thënë me ironi Romanës në vendin e saj, në Kroaci, se bënte ndaj shefit të saj si “Zonjë e Parë Hije”.
Kadare, ashtu siç ka shpërfillur faktin që Andriç ka qenë autor i një projekti për coptimin e shtetit shqiptar, shpërfill tani faktin që Romana Vlahutin ka edhur në Shqipëri për të inicuar “integrimin” e Shqipërisë në Jugosllavinë e Re, që është paralajmëruar të krijohet me ish-republikat dhe krahinat jugosllave, minus Slloveninë dhe Kroacinë, plus Shqipërinë. Kadare nuk shqetësohet nga procese të tillë.
Është interesante që Kadare nuk flet për atë që Policia e ka quajtur “thirrje për veprime të dhunshme”, nga ana ime, ndaj Vlahutin. Duket se Kadare nuk e ka besuar këtë gjë.
Nëse Kadare ka detyrim t’ i gjunjëzohet dikujt, ai duhet t’ i ishte gjunjëzuar popullit hebre dhe t’ i kërkonte falje për fyerjet që i ka bërë gjithandej veprës së tij, në prozë dhe poezi. Kadare, duke qenë se vepra e tij mësohej në të gjithë ciklin arsimor të kohës së diktaturës komuniste dhe librat e tij rekomandoheshin dhe ende rekomandohen zyrtarisht në sistemin arsimor shqiptar të të gjitha cikleve, ka qenë një gjenerator i nxitjes së antisemitizmit, urrejtjes ndaj hebrenjve. Mua personalisht më është dashur një kohë e gjatë që të çlirohem nga mbetjet e kësaj urrejtjeje ndaj hebrenjve e nxitur nga librat e Kadaresë, me të cilën jam ushqyer në shkollë. Unë i bie në gjunjë popullit hebre dhe i kërkoj falje që vendi im ka nxjerrë një shkrimtar në veprën e të cilit rrjedh një lumë urrejtjeje ndaj hebrenjve.
Dikush mund të thotë se megjithëse në veprën e Kadaresë ka shumë urrejtje për hebrenjtë, ata e kanë pritur dhe nderuar Kadarenë në Izrael. Hebrenjtë janë të zgjuar dhe të duruar. Ata e kanë ftuar dhe nderuar Kadarenë dhe kanë pritur kërkesën për falje nga ana e tij.
Nuk është e vështirë të vërtetosh antisemitizmin në veprën e Kadaresë. Unë këtu do të përmend vetëm disa raste, pork a shumë më tepër sesa sjell unë këtu. Në novelën “Viti i mbrapshtë”, të botuar se pari në librin-përmbledhje me novela dhe tregime “Koha e shkrimeve” (1986), Ismail Kadare disfatën e përgjakshme të grupit të armatosur atdhetar shqiptar të kapedan Shestanit (emër sllav), e vendos në vendin e quajtur “Çifut Çiflig”. Madje, një personazh i novelës, rapsodi i çetës, Doskë Mokrari, sajon këtë këngë për ngjarjen:
“Pse u ktheve pas në Çifut Çiflig,
Kapedan Shestan.
Në Çifut Çiflig nata është e ligë,
Kapedan Shestan”. (Ismail Kadare: “Koha e shkrimeve”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1986, f. 357)
Në Shqipërinë e Mesme ku zhvillohen ngjarjet e novelës, madje në gjithë Shqipërinë, nuk ka një vend që të quhet “Çifut Çiflig”. Kadare e ka shpikur këtë toponim, për të shenjuar një vend të mallkuar, duke u nisur nga pikëpamja për çifutët (hebrejtë) si njerëz të mallkuar. Në këngën që Kadare e ve në gojën e Doskës thuhet: “Në Çifut Çiflig nata është e ligë”. Merret vesh se përse: ashtu siç janë të ligj çifutët(hebrenjtë), që i kanë dhënë emrin këtij vendi, ashtu është e ligë dhe nata në këtë vend. Pra, natyra djallëzore e çifutëve (hebrejve) projektohet tek natyra, tek koha në atë vend. Kjo lidhet me bestytninë se vendet ku banojnë çifutët janë vende të këqiaj, për shkak se ata bëjnë magji të zeza atje. Në novelë pronari çifut i çifligut përshkruhet si trafikanti i parë i drogës në Shqipëri, që në Luftën e Parë Botërore: “Si qe e mundur që ishin zënë në gjumë të gjashtë rojat? Pandehma se në një skutë të hambarëve komitët mund të kishin gjetur një sasi gjethesh hashashi, që e kishin marrë për çaj mali ose sherebele (pandehmë e ngritur vite më pas në kujtimet e Karl Buhbergerit, pas zbulimit prej tij në arkivat e Vjenës të një dokumenti që vërtetonte se çifligari shqiptar me origjinë çifute Isak Agai shërbente si furnizues i hashashit të papërpunuar për kontrabandistët austriakë), ishte jo fort bindëse, për arsyen e thjeshtë se ishte vështirë të besohej që malësorët shqiptarë të ngatërronin gjethet e çajit të malit me ato hashashit”. (Ismail Kadare: “Koha e shkrimeve”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1986, f. 357)
Është e tepërt të thuhet se të gjitha këto janë sajim i fantazisë së Kadaresë, një fantazie antihebreje në këtë rast. Nuk ka asnjë dokument të tillë në arkivat e Vienës, është sajesë letrare e Kadaresë.
Në novelën e Kadare “Ura me tri harqe”, botuar së pari në triptikun “Ura me tri harqe” (1977), Kadare projekton në Mesjetë, në shekullin XIV, propagandën anti-Semite të shekullit XX të korporatave të mëdha ndërkombëtare, të kontrolluara nga hebrenjtë, të cilat shfrytëzojnë popujt e botës. Ismail Kadare, duke bërë një parabolë historike tregon se si në gjithë truallin e Arbërisë dhe më gjerë, një koncern shumëkombësh ka marrë me koncesion nga princat shqiptarë të drejtën e lundrimit nëpër lumenj me lundra dhe trape, nga të cilat nxirrte fitime të mëdha prej shpërblimit që paguanin udhëtarët që kapërcenin lumenjtë. Ismail Kadare shkruan në novelën e tij: “Pranë trungjeve ku lidhet trapi gjatë natës, është një tabelë llamarine, ku me shkronja të shtrembra, janë shkruar fjalët ‘Lundra dhe trape’ Ka shumë vite që të tilla tabela llamarine janë vënë kudo dhe jo vetëm në viset e kryezotit tonë Stres të Gjikëve, ose Stres Gjikondit, siç e thërresin shkurt, por dhe më tutje, madje edhe përtej kufijve të shtetit të Arbrit, në pjesët e tjera të Ballkanit. Kjo paska ndodhur qysh në dimrin e vitit 1367, dhjetë vjet më parë, kur të gjitha trapet e kalimit nëpër lumenj, gjire e liqene i paska blerë një njeri i çuditshëm, i ardhur zoti e di nga, emrin e të cilit s’ e di askush, madje thonë se ai s’ ka emër tjetër veç atij ‘Lundra dhe trape’, që ka mbirë tani kudo, si të ishte një bimë që mbin gjithandej ku ka ujëra e lagështirë…Qyshse ky zot i ri bleu trapet e lundrat, trapaxhinjtë e lundrarët u kthyen në rrogtarë të tij, përveç ndonjë rasti të rrallë, si ai i trapaxhiut kokëshkretë të Përroit të Cungjeve, që pranoi më mirë të vdiste urie, sesa të merrte rrogën e ebreut të mallkuar». (Ismail Kadare: “Ura me tri harqe”, “Naim Frashëri”, Tiranë 1978, f. 10)
Sigurisht, e tepër të thuhet, një gjë e tillë nuk ka ndodhur në shekullin XIV, madje nuk ka ndodhur kurrë. Megjithatë, të bën përshtypje fakti që Kadare e bën hebre pronarin e kësaj kompanie shumëkombëshe mesjetare, dhe na thotë se njerëzit e quanin atë “hebreu i mallkuar”. Pra, Kadare jo vetëm tregon këtu urrejtjen e tij për hebrenjtë, por na thotë se shqiptarët i kanë urryer hebrenjtë që shumë shekuj më parë.
Në novelën e Ismail Kadare “Pashallëqet e mëdha”, botuar së pari në triptikun “Ura me tri harqe” (1977), si njeriu më i sofistikuar dhe djallëzor i ekipit të zyrës speciale perandorake osmane, së ashtuquajtur “Kra-kra”, të ardhur në Shqipëri në kohën e shtypjes së rebelimit të Ali Pashë Tepelenës, paraqitet “çifuti Elias”, për të cilin Kadare thotë se është i sektorit të “kujtesës kombëtare”(f. 242), domethënë i zhdukjes së kujtesës kombëtare.
Kolegët e tij të Kra-kra e pyesin çifutin Elias se ç’ është e ashtuquajtura “gjendje e veçantë” që pritet të vendoset në Shqipëri: “Po vallë në gjendjen e veçantë s’ ka përgjakje?- tha Lala Shahini.
-O, kjo është ndryshe, -tha çifuti Elias. –Në atë rast ata do të përgjaken me njëri-tjetrin. Është krejt ndryshe.
-Veç kësaj, në Shqipëri vendosjen e ‘Gjendjes së veçantë’ do ta ndihmonte vetë natyra pasionante e shqiptarëve, apo jo Elias?-tha Sulejmani.
-Çifuti bëri ‘po’ me kokë.” (f. 244)
Kështu, në penën e Ismail Kadaresë “çifuti Elias” del si armik djallëzor i shqiptarëve.
Në romanin e Ismail Kadaresë “Koncert në fund të dimrit”, ka një personazh që është shkrimtar dhe që quhet Skënder Bermema, me të cilin Kadare ka paraqitur vetveten. Ky Skënder Bermema del dhe tek “Dimri i Madh” dhe me këtë personazh autori paraqet vetveten. Tek “Koncert në fund të dimrit”, Skënder Bermema paraqitet duke shkruar këto vargje:
“Porsi çifuti i kthyer në fe tjetër,
Ia behu shiu i konvertuar në breshër”. (Ismail Kadare: “Koncert në fund të dimrit”, “Naim Frashëri”, Tiranë 1988, f. 489) Pse shiu i shndrruar në breshër krahasohet me hebreun e konvertuar? Shiu i konvertuar në breshër është një gjë tinzare, që të dëmton, duke të kapur në befasi. Krahasimi i tij me hebreun e konvertuar aludon për hebrenjtë e fshehtë, të konvertuar në fe të tjera, që e bëjnë këtë konvertim për të sunduar popujt e ndryshëm, ndërsa vazhdojnë të ushtrojnë në mënyrë sekrete ritet hebreje. Në librin e vet “Kronikë në gur”, me kujtime nga fëmijëria, Kadare tregon për një bisedë të plakave në dhomën e pritjes së shtëpisë së vet, në kohën e Luftës së Dytë Botërore, në vendin ku u rrëzua një aeroplan u gjend dora e këputur e një piloti anglez. Kjo ngjarje komentohet kështu: “Se kjo është koha e të paudhit. Çdo gjë në këtë kohë bëhet së prapthi. Na hodhi zoti një krah anglezi, tani prite kur të na hedhë mjekra gjermanësh, thonj çifutësh e hundë arapësh”. (“Kronikë në gur”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, 1978, f. 120.)
“Koha e të paudhit” është Apokalipsi (Kiameti) paralajmërohet me shumë shenja të këqija një nga të cilat është që nga qielli do të bienë “thonj çifutësh”.
Është kërshërore, se djallëzinë të cilën ua vesh personazheve hebreje të librave të tij, Kadare e ka projektuar edhe mbi shtetin e Izraelit.
Në librin e vet “Linja të largëta” (1971) ku përshkruan një udhëtim në SHBA në 1970 për të pjesëmarrë në Kongresin e Rinisë që u mbajt atë vit në Neë York, nën kujdesin e OKB-s, Kadare tregon urrejtje për Israelin, duke shprehur keqardhjen që Israeli nuk u përjashtua nga ky kongres dhe duke e shpjeguar pjesëmarrjen e Israelit me teorinë e konspiracionit zionisto-imperialist (hebreo-amerikan) kundër popujve, në rradhë të parë atyre arabë: “Izraeli e ndjen veten ngushtë. Edhe atij i vërtitet dëbimi. Mirëpo, me makinacione të shkathëta e djallëzore, me ndihmën e tërthortë të disa fuqive të mëdha dhe me demagogjinë e tij të fortë (delegate izraelit e fillon fjalimin duke dënuar agresionin amerikan në Vietnam!) Izraeli e kapërcen edhe këtë herë situatën e vështirë dhe mbetet në sallë”. (Ismail Kadare: “Linja të largëta”, “Naim Frashëri”, Tiranë 1971, f. 111.)
Izraeli shtet djallëzor! Në librin me poezi “Koha” (1976), në poezinë “Koha në botë”, Kadare shkruan:
“Kjo kohë secilit i bën pyetje
Sa të drejtë ka për qetësi,
Ja, ylli i zi, mbi shkretëtirën e Sinait,
Syri i Moshe Dajanit rri”. (Ismail Kadare”, Vepra, Tiranë 1981, “Naim Frashëri”, volumi I, f. 318.)
Moshe Dajan, ose më saktë Dayan (1915-1981) ka qenë një ushtarak dhe shtetar i famshëm izraelit, i cili njihej si Fitimtari i Gadishullit të Sinait. Kadare sajon figurën letrare se syri i mbuluar me napë të zezë i Moshe Dayan rri si yll i zi mbi Sinai. Ylli i zi është një simbol satanik. Kjo lidhet me paraqitjen e hebrejve si popull i Djallit. Moshe Dayan, për shkak të pamjes së vet piktoreske me syrin e mbuluar me napën e zezë, u bë një ikonë e preferuar për antisemitët arabë dhe të gjithë botës, duke u paraqitur si simboli i hebreut djallëzor dhe keqbërës.
Në librin e vet “Ftesë në studio”, që së pari është botuar në vitin 1990, Kadare tregon për një incident me një vajzë ruse, kur ishte student në Moskë. Ai thotë se e dashura e tij ruse i kërkonte me insistim që ai t’ i shkruante një letër: “Dashke një letër, thashë me vete, duke qeshur së brendshmi. Do ta kesh, pëllumbeshë. Dhe aty për aty u vura ta shkruaja: Ljuba ime e shtrenjtë. Një javë më parë kur me ndihmën e Zotit të shtiva në dorë, (pa guxuar ta shkruaj krejt fjalën e ndyrë ruse, shënova vetëm shkronjën e parë j… me tri pika), ishte vërtet një gjë e mrekullueshme, një çudnoje magnovienje, siç shkruan Pushkini i madh. Veç në mos më ke ngjitur triperin, (në gjuhën tonë ai emërtohet me një fjalë me tingëllim madhështor skullamendo, e huajtur nga italishtja dhe që të kujton termat e muzikës, andanto, moderato, apo jo?), pra veç në mos ma ke ngjitur triperin, ndonëse një shkrimtar, Heminguej më duket, ka thënë se kur e marr prej teje edhe triperi më duket i mrekullueshëm. Kështu, pra, as ai s’ ma zbeh dot dashurinë për ty, veç në mos e ke marrë prej ndonjë çifuti uzbek, se, pavarësisht nga simpatia që kam për çifutët, kam dëgjuar se çifutët e Uzbekistanit e kanë triperin më të keq se sifilisin”. (Ismail Kadare: “Ftesë në studio”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1990, f. 195)
Edhe këtu hebrenjtë shfaqen si bartës të posaçëm të së keqes! Në novelën e vet “Muzgu i perëndive të stepës”, që është pjesë e librit “Ura me tri harqe” (1978), ku Kadare tregon për studimet e tij në Moskë, ai tregon edhe për momentin në të cilin e dashura ruse e personazhit kryesor, i cili është vetë autori, zbuloi që i dashuri i saj qe shkrimtar. Ajo i urrente shkrimtarët dhe Kadare e përshkruan kështu reagimin e saj kur mësoi se dhe ai qe shkrimtar: “Ajo më vështronte qetësisht, pastaj duke më vënë njërën dorë te supi, afroi kokën dhe, sikur të përpiqej të shikonte diçka që ishte thellë syve të mi, diçka që s’ dukej, thellë kafkës, me një zë të ngrirë, sikur po më thoshte: ti tashmë je i demaskuar në sytë e mi, ti je një vrasës, një anëtar i mafias, i sionizmit botëror, i Ku Kluks Klanit etj., tha fare ultazi:
-Ti je gjithashtu shkrimtar.” (Ismail Kadare: “Ura me tri harqe”, “Naim Frashëri”, Tiranë 1978, f. 438-439.)
Sikur shihet, kur Kadare kërkon të përshkruajë të keqen absolute tek një individ ai i referohet hebreut të përkushtuar për çështjen e vet nacionale (zionisti) dhe Zionismin (idenë nacionale hebreje që kishte si synim kryesor krijimin, mbrojtjen dhe prosperimin e shtetit të Israelit), e ve në një radhë me mafien ndërkombëtare dhe organizatën raciste, praktikisht fashiste, Ku Kluks Klanin. Për Kadarenë, zionisti, pra hebreu i cili i është përkushtuar realizimit të aspiratës nacionale hebreje, është i barabartë me një vrasës, një mafioz dhe një fashist.
Në fund një pyetje për Ismail Kadarenë: A gënjej unë nëse them se gruaja e tij e ka akuzuar si agjent të KGB? Për këtë do të sjell prova, pasi të kem pritur disa ditë përgjigjen tuaj.
Marrë nga Citynews.al