Aktualitet

Kallëzimi ndaj Dvoranit, Meta: Provë për të ardhmen e Reformës në Drejtësi


               Publikuar në : 13:15 - 10/12/19 |
Al Do

Presidenti Ilir Meta u paraqit sot në Prokurorinë e Tiranës.

Meta u pyet në lidhje me kallëzimin penal të bërë ndaj kreut të KED, Ardian Dvorani.

“Jam këtu në përgjigje të ftesës nga ana e prokurorisë për kallëzimin ndaj shtetasit Ardian Dvorani. Besoj se kemi dhënë sqarime të mëtejshme dhe plotësuese. Rasti është tmerrësisht flagrant. Prokuroria të mos jetë nën presione politike dhe të bëjë punën e saj me profesionalizëm. Është provë e madhe për të ardhmen e reformës në drejtësi. Të gjitha provat e depozituara janë të mjaftueshme që prokuroria të hetojë Ardian Dvoranin, ne nuk bëjmë presione.”, tha Meta për mediat pasi doli nga Prokuroria.

Kreu i shtetit shtoi gjithashtu se do të publikojë një spot në lidhje me rastin në fjalë

“Sapo të shkoj në zyrë do të urdhëroj zëdhënësin tim të publikojë spotin e parë në lidhje me çështjen në fjalë.”, shtoi ai.

Lidhur me draftet e ndryshimeve kushtetuese të zbardhura pak më parë që mazhoranca depozitoi në Kuvend për të anashkaluar procedurën e betimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese në Presidencë, Meta tha se nuk ndikohet nga këto provokime.

“Presidenti nuk është në punë as në detyrë po është në mision. Nuk provokohet nga cic mice të tilla nga kushdo që i prodhon ato. I ftojë të gjithë të merren me përballimin e pasojave të tërmetit. Kush gjen kohtë të provokojë presidentin e di mirë se presidenti është i vetëdijshëm në misionin e tij.”, tha Meta.

Më 19 nëntor, Presidenti firmosi kallëzimin penal ndaj Dvoranit të cilin ai e akuzon për shpërdorim detyre dhe përvetësim të titullit apo detyrës shtetërore. Përplasja e Presidentit dhe kreut të KED erdhi pas procesit të zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Sipas Metës , KED është përpjekur ti marrë atij kompetencën për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese duke I dërguar njëherësh dy lista me kandidatë, pa respektuar sipas tij radhën e parashikuar në Kushtetutë.

Nga ana e tij Dvorani ka mohuar akuzat dhe ka thënë se Presidenti po ushtron një të drejtë që Kushtetuta dhe ligji ia njeh kujtdo. /Opinion.al

Pas