Kryetari i PD, Sali Berisha është thirrur nga SPAK të paraqitet më 10 qershor (nesër), ora 10:00, për të dhënë shpjegime në lidhje me një kallëzim të bërë nga gjyqtarja Irena Gjoka.
Çështja e kallëzimit për shpifje është regjistruar prej vitit të kaluar, me numër 139 e regjistruar nga SPAK, ku Berisha do pyetet në cilësinë e personit që ka dijeni, për çështjen që është nën hetim paraprak.
Ish-kryetarja e GJKKO, Irena Gjoka, njëherazi edhe gjyqtarja që caktoi masat e sigurisë “arrest në shtëpi” për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe “arrest në burg” për dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, ka kërkuar në tetorin e kaluar (2024) nga SPAK, që të hetojnë deklaratat e Argita Berishës e cila e akuzon gjyqtaren se është filmuar duke i kërkuar 500 mijë euro një ish-eksponenti të PS.