Operacioni “Kalimashi” ka vënë në pranga 6 persona, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kontrabandonin shtetas nga Lindja e Mesme, që hynin Shqipëri ilegalisht nëpërmjet kufirit jeshil me shtetin grek. Emigrantët kalonin nga Shqipëria në drejtim të Kosovës duke i kaluar nëpërmjet kufirit të gjelbër me Kosovën me destinacion BE.
Policia ka arrestuar Egzon Tusha, 22 vjeç, banues në Morinë, Kukës, Liridon Duraku, 20 vjeç, banues në Morinë, Kukës, Hamid Rahmani, shtetas afgan, 44 vjeç, banues ne Afganistan, Ndriçim Duraku, 26 vjeç, banues në Morinë, Kukës, Shkëlzen Duraku, 39 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë dhe Admir Ademaj, 28 vjeç, banues në fshatin Bardhoc, Kukës.
Arrestimi i tyre u bë pasi nga shërbimet operacionale të Drejtorisë së Policisë së Shtetit në bashkëpunim me forcat e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, në vendin e quajtur “Rruga e Kombit”, në dalje të tunelit të Kalimashit, me drejtim lëvizje Tiranë -Kukës, shtetasit e mësipërm në bashkëpunim me njëri- tjetri, janë kapur në flagrancë, duke transportuar 18 shtetas të dyshuar afganë, me automjetin mikrobuz tip “Volswagen”, me targë AA 658 NC, të cilët nëpërmjet kufirit të gjelbër do t’i kalonin në Kosovë, me destinacion BE.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës Parë për Krimet e Rënda Tiranë, për veprat penale” Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, dhe “Organizata Kriminale”./tvklan.al