Qëllimet dhe planet do të marrin formë dhe do të realizohen gjatë kësaj periudhe. Kalimi i hënës së plotë në Bricjap do të sjellë më shumë punë e organizim prej së cilës shenjat do të marrin fryte. Sipas parashikimit javor nga Krisanthi Kallojeri në “Shije Shtëpie” në Tv Klan, klima nuk favorizon vendimet përfundimtare, por kujdesin dhe planifikimin e kujdesshëm.
Krisanthi Kallojeri: Sot kemi zhvillimin e një hëne të plotë te Bricjapi, një hënë e plotë shumë pozitive, plot shanse që duhet t’i kapim dhe sfida që duhet të përgjigjemi, por që të kemi suksese duhet të mos nxitohemi dhe të kemi një organizim sa më të mirë me qëllim që të jenë të realizueshme këto dhe t’u paraprijmë pengesave. Pa organizim, pa punë dhe këmbëngulje nuk mund të kemi sukses dhe arritje. Më të kujdesshme të jenë shenjat kardinale, pra Bricjapi, Gaforrja, Peshorja dhe Dashi.
Shumë të favorizuara janë shenjat e tokës: Bricjapi, Demi sidomos dhe Virgjëresha si dhe shenjat e ujit: Gaforrja, Akrepi dhe Peshqit. Më të kujdesshëm, ju shenjat kardinale mos u nxitoni dhe mos ndërmerrni veprime impulsive. Mos merrni vendime përfundimtare, do flasim më vonë. Klima e hënës së plotë është në funksion për dy javët që vijnë deri në hënën e re në datën 17. Parashikimet që do të bëjmë sot vlejnë për dy javë, pavarësisht parashikimit që do të kemi të hënën tjetër.
Dashi – Për dy javët në vijim, përqendrohuni në sferën profesionale dhe në jetën tuaj sociale dhe bëni një kombinim sa më të mirë mes saj dhe jetës familjare. Zgjidhni çështje praktike të jetës tuaj. Pozitivja është që do të keni një ndihmë, një mbështetje që mund të jetë një shumë parash ose të keni një mbështetje në planet tuaja ose një mbështetje psikologjike. Kaloni një periudhë tani ku do të keni mundësi për një përfitim financiar që do të jetë stabël dhe në vazhdimësi që vjen si pasojë e punës dhe zhvillimit tuaj. Vëmendja juaj duhet të jetë në dy gjëra: sferën profesionale dhe përfitimin financiar.
Demi – Jeni në një fazë shumë të mirë, të shkëlqyer që ka filluar që Majin që kaloi dhe vazhdon deri në Majin që vjen por kjo hënë e plotë dhe periudha për dy javë ju krijon shanse dhe kushte unike për të realizuar projektet dhe planet tuaja për të ardhmen. Kjo periudhë favorizon një planifikim për të ardhmen dhe për të punuar për të. Do të keni një ndihmë praktike nga një mik juaji ose nga një njeri i rëndësishëm i rrjetit tuaj social. Favorizohen çështje që kanë të bëjnë me ligjin, studimet, çështjet që kanë të bëjnë me jashtë shtetit dhe mund të realizoni një udhëtim që dëshironi. Mos u nxitoni dhe veproni me organizim me qëllim që t’u paraprini pengesave.
Binjakët – Për dy javët në vazhdim përqendrohuni në sferën financiare, detyrimet që keni ndaj të tjerëve por edhe në fitimet e përfitimet në portofolin tuaj. Do të keni një mbështetje, një ndihmë nga prindërit ose eprorët tuaj që nuk është nevoja ta bisedoni me të gjithë, ta bëni të dukshme apo ta deklaroni tek të tjerët. Paralelisht do të keni një njohje ose fillimin e një lidhjeje afektive që do të jetë një mbështetje në vazhdim, financiare ose në planet tuaja.
Gaforrja – Për dy javët në vazhdim përqendrohuni në marrëdhëniet dhe bashkëpunimet tuaja, të çdo lloji. Vlerësoni me qartësi të dhënat ose fjalët që mund të keni lidhur me një marrëdhënie ose bashkëpunim dhe nëse keni probleme, mos merrni vendime përfundimtare deri tek hëna e re në shenjën tuaj rreth datës 17 Korrik. Jo vendime përfundimtare për marrëdhëniet për dy javët që vijojnë. Mund të realizoni një udhëtim me të dashurin tuaj, një udhëtim pune me një njeri që interesohet për ju ose mund të shkoni në një udhëtim ku të takoni apo njihni dikë që do të zhvillohet në një lidhje.
Luani – Ka filluar vera. Edhe pse mund të ndiheni të lodhur, nuk është momenti të pushoni. Është momenti të vazhdoni të punoni me këmbëngulje dhe organizim deri në fund të vitit sepse puna juaj do të vlerësohet dhe do të përfitoni nga ajo. Evitoni deri në datën 20-22 Korrik implikimin në thashetheme, prapaskena, mos flisni për asnjë. Shfrytëzoni këtë periudhë për të bërë një planifikim më të mirë të periudhës që do të vijojë. Përfitoni nga shanset në sferën profesionale dhe nga një mbështetje praktike që do të keni në punën tuaj. Doni të promovoni punën? Mund të gjeni një njeri që t’ju ndihmojë dhe tregojë disa gjëra nga ana praktike.
Virgjëresha – Hëna e plotë që zhvillohet sot sjell shanse unike për ju në jetën personale, një flirt, një dashuri, një lidhje afektive por edhe zhvillime pozitive në marrëdhëniet ekzistuese. Për ju që jeni prindër, do të shijoni gëzimet dhe sukseset e fëmijëve tuaj. Për disa të tjerë do të jetë realizimi i një vepre ose projekti për të ardhmen. Mbani moralin në shkallën e duhur, as shumë entuziastë por as në drejtimin e kundërt dhe shmangni konfliktet me të tjerët.
Peshorja – Për dy javët në vijim do të jeni të preokupuar me çështjet që kanë të bëjnë me familjen, që kanë të bëjnë me shtëpinë ose pronën tuaj. Duhet të organizoni në mënyrë të tillë jetën tuaj të përditshme që të jetë sa më funksionale në lidhje me jetën tuaj personale dhe profesionale. Disa nga ju do të jeni më të preokupuar me jetën tuaj personale, me anën e brendshme të saj pasi ndoshta do të jeni të shqetësuar ose do analizoni pak më tepër disa fjalë, biseda, një opinion të jetës sociale dhe në disa raste të veçanta, një çështje ligjore që do ju preokupojë. Për të gjitha këto do të keni mbështetje, ndaj është momenti që të veproni në një drejtim pozitiv.
Akrepi – Keni përpara një periudhë shumë aktive me biseda, takime, udhëtime ku do të promovoni punën tuaj dhe do të sillni suksese ose arritje financiare në bazë të veprimeve që do të bëni gjatë këtyre dy javëve. Të gjitha këto kërkojnë një organizim shumë të mirë sepse vetëm atëherë do të jetë sukses i garantuar. Nëse do të jeni shumë të përfshirë në jetën tuaj ose në punë, pra në sferën profesionale, do të keni edhe flirtin, dashurinë dhe shanse unike në marrëdhënie e bashkëpunime. Për dy javët në vijim nuk përjashtohet mundësia të keni një lidhje afektive me baza të forta edhe në të ardhmen ose një bashkëpunim frytdhënës.
Shigjetari – Tema kryesore e periudhës për ju do të jenë financat, detyrimet ndaj të tjerëve, ndoshta do ju duhet të plotësoni një shumë lekësh për të mbyllur një detyrim dhe do t’i gjeni këto para dhe do të vijë mbështetja që kërkoni ose do të keni mundësi të përfitoni. Kjo periudhë favorizon rritjen e të ardhurave që do të vijnë nga organizimi më i mirë i punës tuaj, zhvillimi i klientelës, të jeni në kërkim të saj nëse keni një punë tuajën dhe nga mbështetja e të tjerëve. Përqendrohuni në punën tuaj sepse do të keni shumë përfitime. Për ju që jeni të interesuar të gjeni një punë, mund ta kërkoni, do të vijë dhe do të jeni të kënaqur edhe nga të ardhurat e saj.
Bricjapi – Hëna e plotë që zhvillohet sot në shenjën tuaj kërkon të përqendroheni në punën tuaj por ndoshta ju vë në dilemë në disa marrëdhënie dhe në lidhje me disa bashkëpunime. Nëse diçka ju shqetëson, ndoshta nuk është momenti të merrni vendime deri përpara datës 17 që do të kemi zhvillimin e një hëne të re. Është mometni të zgjidhni praktikisht çështje që ju preokupojnë të cilat do të zgjidhen vetëm nëse bëni takime personalisht, me prezencën tuaj. Një investim mund të realizoni këtë periudhë ose të keni sukses në jetën tuaj personale, një lidhje, një dashuri ose diçka të bukur nga fëmijët tuaj.
Ujori – Është momenti të qetësoheni, të gjeni kohën dhe mënyrën për t’u relaksuar që të kujdeseni më tepër për shëndetin tuaj. Jepini më shumë rëndësi jetës tuaj intime se sa asaj sociale për dy javët në vijim. Një çështje që ju preokupon lidhur me familjen tuaj, shtëpinë ose pronën do të gjejë zgjidhje dhe do t’ju nxjerrë nga një ankth që ndoshta keni. Do të keni mundësi të rregulloni jetën tuaj të përditshme dhe do të keni të ardhura stabël që do të kenë edhe vazhdimësi të cilat do të vijnë nga shfrytëzimi më i mirë i pronës ose investimi lidhur me një pronë.
Peshqit – Për dy javët që vijojnë përqendrohuni në synimet që keni dhe në projekte lidhur me to të cilat mund të kenë të bëjnë me jetën personale ose realizime që doni në jetën profesionale. Sido të jetë, është një periudhë zhvillimi për ju pavarësisht nga pengesat që mund të hasni. Thjesht duhet të veproni me qetësi, organizim pa mbi ose nënvlerësuar veten tuaj. Mbështetjen do ta keni nga miqtë tuaj. Për ju që keni një projekt që kërkon mbështetjen e një pune kolektive për realizimin ose doni të merrni pjesë në një shoqatë, organizatë përmes së cilës do të keni një zhvillim në karrierë, është momenti të veproni. Është një verë që tani dhe për dy muajt në vijim na krijohen kushtet të përfitojmë nga ana financiare, të bëjmë realizime dhe të përfitojmë nga prona ndaj është momenti të përfitoni. Paralelisht është periudhë që do të bëjmë edhe shpenzime./tvklan.al