Ryan Giggs ka zbuluar se i ka thënë djalit të tij se ai ka qenë më i shpejtë se Lionel Messi gjatë karrierës së tij.
42-vjeçari ka fituar 13 kampionate në Premier League, dy Champions League dhe katër Kupa të Anglisë gjatë karrierës së tij në “Old Trafford” dhe tani është ndihmësi i Van Gaal.
Por pavarësisht arritjeve të shumta në karrierë, Giggs ka pranuar se e ka të vështirë të bindë djalin e tij kur i shpjegon sesa i mirë ka qenë ai si lojtar.
“E vetmja gjë që më bezdis herë pas here ka të bëjë me faktin se djali im nuk më ka parë asnjëherë të luaj në kulmin e karrierës sime”, ka thënë Giggs.
“Ai mendon se kam luajtur vetëm disa vite me United dhe aq. Unë as që llogaritem, Neymar është lojtari i tij i preferuar, më pas vjen Ronaldo, Messi. Dhe unë jam i detyruar të bëj një gjë që nuk e kam bërë kurrë, duhet të mburr veten. Unë i them atij, ‘Kam qenë më i shpejtë se Messi’. Ai përgjigjet, ‘Jo, nuk ke qenë, unë jam më i shpejtë se ty’. Nuk bindet për këtë. Ndonjëherë i tregoj golat e mi në televizor, por ai thjesht largohet nga dhoma!”.