Akuzohet se ndihmoi në vrasjen e mijëra personave, 98-vjeçari që shërbeu si roje për nazistët del para gjykatës në Gjermani
Prokurorët gjermanë kanë akuzuar një 98-vjeçar për bashkëpunim në vrasjen e rreth 3300 personave në një kamp përqendrimi nazist në Luftën e Dytë Botërore.
Burri, ende i paidentifikuar, ishte një adoleshent kur shërbeu si roje në Sachsenhausen midis korrikut 1943 dhe shkurt 1945, thotë aktakuza.
Ai dyshohet se ka ndihmuar në vrasjen masive të të burgosurve gjatë periudhës së Gjermanisë naziste. Që nga viti 2011, Gjermania ka ndjekur penalisht ish-nazistët për bashkëpunim në vrasje dhe tortura.
Nazistët burgosën më shumë se 200,000 njerëz në Sachsenhausen, duke përfshirë të burgosur politikë, hebrenj, ushtarë sovjetikë të kapur dhe romë.
Dhjetëra mijëra të burgosur vdiqën nga uria, puna e detyruar, eksperimentet mjekësore dhe ekzekutimet. Kampi u ndërtua në veri të Berlinit në vitin 1936.
Vitin e kaluar, një 101-vjeçar, Josef Schütz, u shpall fajtor për asistim në vrasjen masive në Sachsenhausen. Ai u dënua me pesë vjet burg, por vdiq në prill të këtij viti, ende i lirë në pritje të vendimit nga një gjykatë apeli.