Kriza politike në të cilën ndodhet vendi ynë ka shqetësuar sipërmarrësit e huaj që investojnë në Shqipëri.
Dhoma Amerikane e Tregtisë, Shoqata Gjermane e Industrisë e Tregtisë dhe Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë përmes një deklarate të përbashkët për mediat theksojnë se shumë prej anëtarëve të tyre ndjehen të frustruar, pasi sipas tyre pasiguria politike po ndikon negativisht në klimën e biznesit dhe ekonominë shqiptare.
Investitorët e huaj i bëjnë thirrje partive politike të bëjnë çdo përpjekje për t’i dhënë fund ngërçit politik në dobi të stabilitetit në vend pasi sipas tyre çdo ditë që kalon pa marrëveshje dëmton besimin e qytetarëve në sistemin tonë politik dhe ekonomik, duke penguar investimet e mundshme ndërkombëtare.
“Çdo ditë që kalon pa marrëveshje dëmton besimin e qytetarëve në sistemin tonë politik dhe ekonomik, duke penguar investimet e mundshme ndërkombëtare. Komuniteti ynë i biznesit kërkon fuqishëm që të gjithë palët e përfshira – veçanërisht Qeveria dhe Opozita – të veprojnë me përgjegjësi dhe të bëjnë çdo përpjekje për t’i dhënë fund ngërçit politik në dobi të stabilitetit në vend” thuhet në deklaratë./Opinion.al