Rrjeti social Instagram që është në pronësi të Facebook-ut, ka ndaluar reklamimin e cigareve elektronike, prodhimeve të duhanit dhe armëve, nga ana e influencuesve.
Megjithëse reklamat e duhanit janë ndaluar nga Facebook dhe Instagram, prodhuesit e cigareve elektronike përdorin influencuesit për të promovuar produktet e tyre, përmes targetimit ose postimeve që tregojnë se si i kanë pranuar si dhuratë këto produkte.
“Përmbajtja e postimeve që promovojnë produkte si cigaret elektronike, duhani dhe armët nuk do të lejohen”, njoftoi Instagram.
Sipas CNBC, kjo është hera e parë që Instagram po prezanton kufizime për produktet që mund të promovohen përmes targetimit.
Masa vjen pasi Autoriteti i Standardeve të Reklamimit në Mbretërinë e Bashkuar ndaloi kompanitë e duhanit, të promovojnë cigare elektronike në faqet e mediave sociale, pas hetimit të postimeve të tyre në Instagram.
“Është e domosdoshme që Facebook dhe Instagram jo vetëm të sjellin shpejt ndryshime në këtë politikë, por ato të zbatohen në mënyrë rigoroze”, tha Matthew Myers, president i fushatës “Fëmijët pa duhan”./Opinion.al