Rreth 4 mijë karta SIM angleze janë kapur nga “Njësia “C” për Hetimin e Krimit Kompjuterik në aeroportin e Rinasit në datën 9 qershor.
Policia e Tiranës ka proceduar penalisht shtetasin me inicialet M. H, pasi këto karta kanë ardhur me postë në adresë të tij. Ai akuzohet për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik” dhe “Shitja e paautorizuar e kartave SIM”.
“Njësia “C” për Hetimin e Krimit Kompjuterik, më datë 09.06.2022, ka referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të shtetasit M. H., për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik” dhe “Shitja e paautorizuar e kartave SIM”, pasi në adresë të këtij shtetasi, ka ardhur me postë, në Rinas, një pako postare me 3991 karta SIM angleze.”, thuhet në njoftimin e policisë.
Kartat janë aktive me PIN e PUK çka ka bërë që policia të vihet në lëvizje pasi duke u shitur në treg të zi, mund të përdoren për shpërthime të bombave me celular, shantazheve, mesazheve në aplikacionet e koduara dhe thirrjeve nëpërmjet “data use”.
Policia dhe Prokuroria kanë nisur hetimet e përbashkëta me autoritetet britanike për këtë ngjarje.