Policia Rrugore dhe Bashkia e Tiranës do të kenë një sistem të përbashkët ku do të hidhen gjobat për drejtuesit e mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor. Ky projekt pritet të nis zbatimin këtë javë nëpërmjet sistemit të Policisë së Shtetit E-Gjoba.
Kjo marrëveshje midis bashkisë dhe Policisë do të eliminojë fiksuesin e gomave duke e zëvendësuar atë me karrotrec. Pasi makina juaj të jetë marrë nga karrotreci, mjafton që të vendosni në sistemin E-Gjoba numrin e shasisë dhe targën për të mësuar ku ndodhet automjeti. Risia e këtij sistemi do të jetë edhe publikimi i emrit të policit që ka vendosur gjobën.
Ky sistem do të zbatohet fillimisht në Tiranë dhe më pas do të shpërndahet në të gjitha qytetet. Policia bën me dije se unifikimi i policisë bashkiake me atë të shtetit si dhe sistemi E-Gjoba janë kryer për ti ardhur në ndihmë qytetarëve, të cilët nuk duhet të sorollaten më nëpër komisariate për të mësuar se ku ndodhet makina apo për të mësuar emrin e policit që ka vendosur gjobën.