Ekspertët amerikanë dhe ata shqiptarë kanë bërë të mundur nxjerrjen e Kutisë së Zezë të helikopterit ushtarak EC 145, të rrëzuar 3 ditë më parë në Liqenin e Shkodrës.
Ajo do t’i dërgohen Prokurorisë së Shkodrës për hetim.
Ndërkohë kanë vijuar edhe sot përpjekjet e polumbarëve dhe Forcave të Ushtrisë për të nxjerrë në sipërfaqe pjesët e mbetura të helikopterit.
Për nxjerrjen e tyre do të përdoren jastëke me ajër, ndërsa transportimi i tij deri tek ura e Bunës do të bëhet me një mjet të posaçëm.
I pafavorshëm për operacionin e nxjerrjes së tij ka qenë edhe moti me shi të vazhdueshëm.
Një ditë më parë forcat e RENEA-s nxorrën në sipërfaqe disa mbetje të helikopterit që dyshohet se janë pjesë të motorit.
Mesditën e së mërkurës helikopteri i Forcave të Armatosura i drejtuar nga pilotët Florian Deliaj dhe Donald Hoxha u rrëzua tragjikisht në zonën e Grizhës.
Nga ky aksident shpëtoi vetëm ushtari Gerald Baramuça./ Tv Klan