Shënim për mohikanin e fundit të betonit dhe asfaltit tirons.
Shkruan: Albatros Rexhaj
Para pak ditësh, në një nga emisionet më të shikuara në Tiranë, një moderator i njohur (por nuk është i vetmi) iu referua Robert Aliajt si “artist ekscentrik”. Për mua ngeli e paqartë nëse moderatori donte t’i bënte kompliment Bertit apo kishte në mendje atë botëkuptimin tjetër, jo pak të përhapur, që të qenët ekscentrik nënkupton se personi në fjalë nuk është edhe aq në rregull.
Ekscentrik?!
Sipas fjalorit të Oksfordit, fjala “ekscentrik” i referohet një personi “me pikëpamje të pazakonta dhe sjellje pak të çuditshme”, ndërkaq gjenezën e kuptimit e ka nga ideja se dikush apo diçka shmanget nga trajektorja e rëndomtë dhe bën diçka ndryshe.
Në një këndvështrim të ngushtë, Robert Aliaj vërtet mund të duket si një ekscentrik, por në një rrafsh më të gjerë të të menduarit dhe analizës, ky përkufizim është i mangët dhe assesi nuk përbën një kompliment. Jo vetëm në rastin e Bertit, por në përgjithësi për çdo artist të mirëfilltë, të cilësuarit “artist ekscentrik” është një tip fyerjeje, kamuflim i përpjekjes për të zhvlerësuar si artin ashtu edhe personalitetin e artistit. Duhet thënë troç se, ashtu siç e përdorim ne, cilësimi si “artist ekscentrik” nënkupton diçka si “ky është artist i mirë por nuk është edhe aq në rregull”!
Nëse i referohemi mendimeve bazë për artin, të dhëna që nga Artistoteli, shumë lehtë mund të vijmë në përfundimin se nocionet “artist” dhe “ekscentrik”, në realitet, janë po e njëjta gjë. Si individ, artisti nuk është i rëndomtë, meqënëse vetvetiu artisti nuk mund të ndihet i përmbushur përbrenda asaj që cilësohet si “comfort zone”, ku secili nga ne vazhdimisht bën kompromise me veten dhe me të gjithë të tjerët, ndërkaq arti i tij nuk është gjë tjetër përveçse një manifestim i mënyrës së veçantë me anë të së cilës artisti e sheh botën. Mjafton veç ky fakt për ta bërë artistin të pazakontë (në raport me shumicën), qoftë për nga pikëpamjet apo edhe sjelljet, rrjedhimisht (sipas përkufizimit të Oksfordit) një ekscentrik. Nëse themi “artist” dhe “artist ekscentrik” d.m.th sugjerojmë se ka artistë të rëndomtë dhe artistë të parëndomtë. Një paradoks i qëllimshëm kuptimor apo një pasqyrim se ata që përdorin cilësimin “artist ekscentrik” as që ia kanë idenë se çfarë është arti. Mendoj se është kjo e dyta.
Robert Alija është ekscentrik, për aq sa i tillë është edhe çdo artist tjetër i vërtetë! Dhe ekscentrizmi i secilit artist është i veçantë, unik në vetvete, po aq sa është i veçantë edhe mesazhi artistik i artistit në fjalë. Berti është mbase ndër të paktët në botën shqiptare i cili atë që vëzhguesi i jashtëm e cilëson si ekscentrizëm, e ka mënyrë jete, manifestim të natyrshëm të botës së tij brendshme si artist dhe jo performancë të stisur me qëllim tërheqjen e vëmendjes. Ata që e njohin Bertin nga afër e dinë se nuk ka ndonjë dallim të madh në mes të Bertit që ulet në tavolinën e miqve me atë që shfaqet në ekranet televizive. Nuk ka një Robert për TV dhe një tjetër për jashtë TV-së, por Roberti është një dhe i pandashëm. Edhe në situatën më triviale, Roberti përsëri është vetëm vetja e tij dhe jo një personazh i sajuar për të prezantuar një imazh të rrejshëm për veten e tij. P.sh, së fundmi shkuam bashkë të shihnim një shfaqje në teatër, që nuk na pëlqeu të dyve, por, përdërisa unë ndihesha se duhej të rrija deri në fund të shfaqjes, pavarësisht se shfaqja më shkaktonte një lloj refuzimi estetik, Berti nuk priti pardon. U ngrit nga vendi dhe doli. Në pamje të parë nuk ka asgjë të jashtëzakonshme, pos për faktin se Berti doli në mes të skenës, aty ku ishin aktorët, dhe u largua duke e bërë një “eksursion” të vogël si mysafir i paftuar në skenë. Ecja e tij në skenë përbënte pasqyrimin më të mirë të refuzimit estetik që ia kishte krijuar thartësia e shfaqjes.
Duke e njohur Bertin, nuk u habita fare kur, gjatë spektaklit “Dance with me”, ai provokoi gjithë botën shqiptare me krijimin e tij “Go West”, ku, duke përdorur elemente të flamurit kombëtar, ndërton një diçka që i ngjan svastikës, simbolit nazist. Duke njohur natyrën e tij të të menduarit, krijimtarinë e tij artistike ku nuk mungojnë motivet nacionaliste, u ndjeva goxha i intriguar nga performanca e tij dhe doja të dija motivin që ka mundur ta shtyjë Bertin të krijojë një instalacion kaq provokues. Por, në të njëjtën kohë, m’u përforcua edhe më shumë ideja rreth Bertit si një gladiator bashkëkohor, tërësisht atipik, i metropolit të vetëm shqiptar. Veç një i tillë, në një nga periudhat pikante të shprehjes masive të ndjenjave nacionaliste, mund të zgjedhë që të provokojë opinionin me një krijim si “Go West”.
Për mua është shumë e qartë ideja e Bertit: dashuria ndaj vetes nuk duhet të kthehet në urrejtje ndaj të tjerëve, por as edhe një urrejtje ndaj njëri-tjetrit. Si artist, Berti e ndjen se, përkundër maskave që vëmë duke e prezantuar veten si liberalë, ne, si shoqëri, jemi duke u bërë gjithnjë e më pak tolerantë. Liberalizmi ynë ekziston vetëm në letër apo në deklarata para kamerave dhe assesi në realitet. Ne nuk durojmë njerëzit përtej unazës së vogël, nuk i vlerësojmë njerëzit e një statusi më të ulët social (lexo që kanë më pak lekë), nuk i duam katundarët, sot, më shumë se kurrë më parë, profilizojmë njerëzit në “malokë shpellarë nga veriu” apo “të pabesë nga jugu” (varësisht nga këndvështrimi) e shumë manifestime të tjera të një fashizmi të heshtur që po lëshon rrënjë në shoqërinë tonë. Këtë temë e kam eksploruar edhe vetë te libri im “Rebelimi i Lúlus”, prandaj edhe e kuptoj drejt shqetësimin e Bertit. Nëse vërtet duam që të bëhemi pjesë e familjes perëndimore atëherë duhet ta përqafojmë vlerën kryesore të qytetërimit perëndimor: tolerancën për njerëzit që janë të ndryshëm nga ne. Dhe për ta bërë këtë duhet të heqim dorë nga logjika moniste (që vazhdon të jetë e shumë pranishme te ne) dhe që graviton rreth botëkuptimeve dogmatike plot e përplot me gjëra që nuk guxojnë të preken.
Personalisht jam ithtar i idesë së në raport me simbole kombëtare dhe fetare duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm (jo rrallëherë edhe unë jam ndier i fyer nga liria me të cilën disa i qasen gjërave që unë i konsideroj të rëndësishme) por kjo assesi nuk do të thotë se jam kundër atyre që kanë një mendim dhe qasje ndryshe në raport me këto simbole apo që me anë të këtyre simboleve krijojnë një mesazh të ri, çfarëdo qoftë ai. Thënë këtë, jam ndier keq me reagimet histerike që u bënë pas instilacionit artistik dhe jam ndier shumë i zhgënjyer përballë faktit se në ballë të këtyre reagimeve kishte njerëz nga e ashtuquajtura elitë intelektuale, mediatike e kulturore e metropolit tonë. Çuditërisht janë po këta që na patën çarë bythën me solidarizimin e tyre me Charlie Hebdo apo me karikaturistin danez Kurt Westergaard, duke mbrojtur parimet e shprehjes së mëndimit të lirë dhe lirisë kreative të artistit, ndërkaq tani, po të njëjtit, nuk kanë mirëkuptim për lirinë kreative dhe shprehjen e mendimit nga ana e një artisti shqiptar. Edhe ky një paradoks apo thjesht shpërfaqje e fytyrës së tyre të vërtetë: liberalë të rrejshëm, snobër që thjesht duan të duken.
Pas gjithë zhurmnajës që u krijua, Berti nuk u zmbraps por pyeti për çfarë duhet të jemi krenarë ne shqiptarët? Mjafton të deklarojmë dashurinë ndaj atdheut dhe flamurit që të ndjehemi krenarë apo duhet dicka më shumë?
Vërtet çfarë është atdhedashuria?
Të rrahësh gjoksin se je shqiptar, të valosh lart flamurin, të bësh tifozeri të flaktë në stadium dhe të heshtim të gjitha ato gjëra për të cilat bota normale na kritikon çdo ditë. Apo ndoshta atdhedashuri është që ta ngresh zërin dhe të kritikosh njerëzit e tu, vendin tënd, për gjërat që beson se nuk shkojnë mirë.
Jo rastësisht thashë “bota normale”, sepse ne kemi zgjedhur vullnetshëm të jetojmë anash botës normale. Te libri im i fundit këtë situatë e kam shprehur kështu:
“Diktaturat kanë rënë dhe pushtuesit kanë ikur, por ne, në mënyrë të vullnetshme, vazhdojmë të jetojmë në skaj të botës normale, të mbërthyer në një sistem mbijetese dhe urrejtjeje. Të mos vazhdojmë së gënjyeri veten dhe të tjerët duke ngritur lart mitin historik se jemi njerëz të durueshëm e të besës. Është çasti i fundit për ta thënë hapur se sot, prapa kësaj fasade fjalësh, fshihet urrejtja, agresiviteti dhe të mos-honepsurit e çdo mënyre tjetër të të menduarit, shprehjes së ndjenjave apo të jetuarit.” [Rebelimi i Lúlus, fq 47]
Mesazhi i Bertit rreth zhdukjes së tolerancës në mesin tonë, por edhe fshehjen e të gjitha dështimeve tona, në emër të një krenarie simbolike, nuk është i pari në mesin e artistëve shqiptarë dhe nuk do të jetë as i fundit. Dallimi është se fuqinë e tij televizive, që ia mundëson prania në një nga spektaklet më të shikuara në televizionet shqiptare, Berti nuk e përdori për vetë-promovim, duke i bërë furça shijeve kolektive (të bëhej populist si shumë të tjerë), por ai e përdori për të përcuar një mesazh këndellës. Një mesazh që për mua është shumë i qartë: Go West, mos ia humbni kuptimin flamurit tonë!
Nuk duhet të harrojmë se flamuri ynë kombëtar është simboli i Skenderbeut dhe simbolizon pikërisht lidhjen tonë të pandashme me familjen evropiane, ndërkaq sot vlera kryesore evropiane nuk është veshja sipas modës së Parisit apo rregullimi i shtëpisë me modën e fundit italiane (po të ishte kështu atëherë sheikët e Lindjes së Mesme, që më së shumti konsumojnë modën e Parisit e të Italisë, moti do na dilnin evropianë) por është toleranca ndaj të gjithë atyre që janë ndryshe dhe refuzimi i logjikës së dogmës. Në shoqëri të lira nuk ka gjëra të shenjta e të paprekshme dhe rrjedhimisht nuk ka as njerëz që mëkatet e tyre mund t’i fshehin pas këtyre gjërave të shenjta e të paprekshme.
Prandaj në emër të dashurisë që kemi për flamurin tonë kombëtar duhet ta përqafojmë pikërisht idenë themelore që ky flamur përfaqëson. Duhet t’i themi JO fashizmit e monizmit të heshtur që po instalohet (përsëri) në mesin tonë. Dhe këtë e bëjmë duke u angazhuar për lirinë e gjithsecilit, sidomos të atyre që nuk mendojnë si ne.
Dëshira ima ka qenë që shënimin tim për Bertin, si një gladiator atipik i metropolit tonë, mbase i vetmi brenda llojit të vet, ta fokusoja në rrugëtimin e tij jetësor si artist (ditët e hershme si piktor dhe shmangia nga realizmi socialist i kohës, historinë e tij si këngëtari i parë që publikisht ka kënduar muzikë POP në Shqipërinë komuniste e të tjera), por “skandali” i fundit i Bertit i përmbledhi të gjitha ato që doja të thosha.
Rebeli i kohës së monizmit është po i njëjti me rebelin e ditëve të sotme, ndërkaq artisti vazhdon të kërkojë shkakun e ekzistencës së tij. Pikërisht ky është Robert Aliaj, mbase “mohikani i fundit” në betonin dhe asfaltin e Tiranës.
(Autori është shkrimtar. Ky reflektim është krejtësisht personal)