Alsu Kurmasheva pranon letra në burg – nga familjarë, miq, kolegë e të huaj – por, nganjëherë, kalojnë javë para se ato t’i shkojnë asaj në qelinë ku ajo po mbahet në paraburgim, në qytetin rus të Kazanit.
Më 13 janar, gazetarja e Radios Evropa e Lirë shkroi se ka pranuar një pako të madhe letrash, pas një pritjeje të gjatë në periudhën e pushimeve dimërore.
“Ishte shumë e vështirë për mua, pa to”, shkroi ajo. “Të jem e sinqertë, krejt kjo [gjendje] po bëhet e padurueshme”.
Më 25 janar bëhen 100 ditë që kur Kurmasheva u arrestua në tetor, dhe ajo ndodhet në paraburgim që atëherë.
“Qoftë edhe një ditë prapa grilave padrejtësisht, është tragjedi”, ka thënë ushtruesi i detyrës së presidentit të Radios Evropa e Lirë, Stephen Capus.
“Por, mbajtja e padrejtë e një qytetareje amerikane në një burg për 100 ditë është e papranueshme”, është shprehur ai.
Kurmasheva fillimisht është akuzuar se nuk e ka njoftuar qeverinë ruse që ta regjistrojë atë si “agjente të huaj” dhe, dy muaj më vonë, është akuzuar për shpërndarje të dezinformatave për ushtrinë ruse.
Ligjet ruse parashohin ndëshkim maksimal prej pesë vjetësh burgim për ata që shpallen fajtorë mbi akuzën për mosregjistrim si “agjentë të huaj”, ndërsa mbi akuzën e dytë një person mund të dënohet me deri në 10 vjet burgim.
Kurmasheva dhe Radio Evropa e Lirë i mohojnë akuzat dhe thonë se Moska po e ndëshkon atë për punën e saj si gazetare.
Kurmashevas, e cila ka shtetësi amerikane dhe ruse, nuk i është lejuar kontakti konsullor në burg. Rusia i ka refuzuar tri kërkesa të SHBA-së për ta vizituar atë në paraburgim.
“Rusia duhet ta lirojë atë pa kushte dhe menjëherë”, ka thënë Capus. “Ne shpresojmë se Departamenti amerikan i Shtetit do ta cilësojë shpejt Alsunë si ‘të burgosur padrejtësisht’”.