Zyrtarë më të lartë britanikë, francezë dhe gjermanë mbështetën Shtetet e Bashkuara në vlerësimin e tyre se Irani është fajtor për sulmet në rafineritë e naftës në Arabinë Saudite dhe i bënë thirrje Teheranit që të zgjedhë dialogun në vend të “provokimeve”.
“Është e qartë për ne se Irani mban përgjegjësinë për sulmet me dronë dhe raketa në dy objekte të naftës”,-thanë përmes një deklarate të përbashkët kryeministri i Britanisë, Boris Johnson, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.
“Nuk ka asnjë shpjegim tjetër të arsyeshëm”, -thanë ata gjatë Asamblesë së Përgjitshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Irani e ka mohuar përfshirjen në sulmet e 14 shtatorit në Arabinë Saudite. Përgjegjësinë për to e kanë marrë rebelët Huthi në Jemen, të cilët janë të lidhur me Iranin dhe luftojnë një koalicion të udhëhequr nga Arabia Saudite në luftën e Jemenit.
Uashingtoni ka thënë se nuk do konflikt të armatosur me Iranin, ndonëse të gjitha opsionet mbeten në tavolinë për t’iu përgjigjur përfshirjes së dyshuar të Teheranit në sulme.
Irani e ka paralajmëruar SHBA-në se çdo sulm mund të çojë në luftë të gjerë.
Trump, më 20 shtator, autorizoi një rritje “të moderuar” të pranisë së forcave amerikane në Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe./REL/