Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri ka dhënë një intervistë për mediat greke, ku është shprehur se sundimi i ligjit në Shqipëri nuk funksionon.
“Më 4 dhjetor, pas 6 muajsh pengesë, do të ekzekutohet kërkesa ime në gjykatën speciale nëse do të betohem apo jo”, ka thënë Beleri për median greke.
“Sundimi i ligjit në Shqipëri nuk funksionon. Ligji është i qartë. Kur dikush nuk është dënuar dhe vendimi nuk ka marrë formë të prerë, kryetari mund të betohet. Opozita nuk mund të kryejë detyrat e saj në Parlament. Po bëhet gjueti shtrigash nga qeveria shqiptare. Kushdo që nuk pëlqehet nga Rama, përsekutohet në çdo kohë. Nuk ka barazi”, u shpreh Beleri.
Fredi Beleri pretendoi sërish se është i pafajshëm.
Kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës akuzohet për blerje votash dhe u arrestua 2 ditë para zhvillimit të zgjedhjeve lokale./opinion.al