Një ish-senator francez po hetohet nga drejtësia e Parisit, pasi akuzohet se i dha një deputeteje drogë të llojit ekstazi, me qëllim për ta sulmuar atë seksualisht.
Ngjarja ndodhi në nëntor të vitit 2023 në një event privat në shtëpinë e ish senatorit, kur 68 vjeçari Joël Guerriau, dyshohet se i dha deputetes Sandrinë Jossos, një gotë shampanjë të spërkatur me drogë.
Gruaja tha se përjetoi rrahje të shpeshta të zemrës, të vjella dhe vështirësi për të qëndruar në këmbë, megjithatë, ia doli të largohej nga banesa. Ajo u ndihmua nga një taksist dhe kolegë parlamentarë që e pritën dhe thirrën urgjencën.
Guerriau, i cili dha dorëheqjen nga senati në tetor 2025, akuzohet për përdorim dhe posedim droge, si dhe për administrim sekret të një substance që ndryshon perceptimin, me qëllim kryerjen e një përdhunimi ose sulmi seksual. Ai mohon të ketë pasur qëllim për të përdhunuar deputeten ndërsa avokati i tij pretendon se shampanja u shërbye pa dashje.
Sandrine Josso është bërë një figurë kryesore në luftën e Francës kundër sulmeve seksuale të lehtësuara nga droga. Ajo ka udhëhequr hetime parlamentare dhe ka bashkë-krijuar raporte mbi abuzimet seksuale të lehtësuara nga droga, si dhe ka mbështetur grupe për të rritur ndërgjegjësimin mbi këtë problem.
Josso tregoi për mediat se ajo e njihte ish senatorin prej vitesh dhe e konsideronte mik dhe prandaj kishte pranuar të takohej me të për të festuar rizgjedhjen në senat.
Takimi duhej të zhvillohej në një restorant, por vendi ndryshoi në banesën e tij. Ajo tha se u befasua që ishte vetëm dhe e pranoi një gotë, ndërsa ai insistonte të bënte një dolli që ta bënte të pinte më shumë. Ajo vuri re se shampanja kishte një shije të veçantë dhe më pas filluan simptomat e rënda.
Gjykata që u mblodh të hënën pritet të shqyrtojë historikun e kërkimeve të Guerriau në internet ditët para incidentit.
Në Francë, dhënia e drogës për të kryer përdhunim ose sulm seksual dënohet deri në pesë vjet burg, ndërsa posedimi i drogës mund të sjellë deri në dhjetë vjet burg.















