Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, është pyetur nga gazetarët në konferencën e sotme në lidhje me foton e publikuar në media ku Meta shfaqej në shoqërinë e Agron Nezës, Dorian Duçkës, të përmendur në dosjen e Washingtonit të ish-agjentit të FBI, Charls McGonigal dhe një agjent i FBI Mark Thomas Rossini dhe të tjerë.
Meta sqaroi se foto është bërë 10 vite më parë në një takim ku ka dhe përfaqësues diplomatikë, ndërsa theksoi se me Agron Nezën kishte miqësi për shkak se i njihte vëllain që e kishte patur këshilltar, ndërsa për Rossinin tha se e njeh për shkak të angazhimit të tij publik për llogari të kryeministrit Rama.
“Mund t’ju them me shumë kënaqësi dhe transparencë se nuk jam unë që e kam akuzuar z. Rama për McGonigal por akuza nga drejtësia amerikane ku ai përmendet 14 herë. Janë mediat më të mëdha të SHBA dhe në botë që kanë raportuar qartë që kjo ka qenë një aferrë korruptive dhe që kjo aferë korruptive është udhëhequr nga Edi Rama për ndikim të paligjshëm për të goditur opozitën në Shqipëri. Kjo është mëse e qartë.
Çdo foto që ka me mua, çdo njeri në Republikën e Shqipërisë është i lirë ta publikojë. Është foto e 10 viteve më parë. Ka edhe përfaqësues diplomatik që kanë ardhur në takim. A është Rossini aty? Nuk e di. Kur më ftojnë unë nuk i pyes kë marrim me vete. Se kush është Rossini unë e di shumë mirë, por e di për shkak të angazhimit të tij publik për llogari Ramës, që e akuzonte Berishën si njeri të Putinit, ndërkohë që ishte e qartë që dhe ky dhe të tjerët punonin për kompani të Putinut, të cilat ishin të përfshira në vendin tonë. Sa i takon z.Neza njohja ime me të është e vjetër për arsye se të ndjerin vëllain e tij Agim Neza ka qenë njeri shumë i afërt i imi, ka qenë zëdhënësi im. Kemi pasur marrëdhënie shoqërore dhe njerëzore. Por asnjëherë nuk i kam kërkuar asnjë favor”, tha Meta.