Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result
KONTAKT
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë
Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result

Fëmijët shqiptarë të rrezikuar nga interneti, 44 % shohin pornografi

2016/01/25 at 7:33 AM
në Aktualitet, Te Fundit
Kohë leximi: 8 min
A A
Fëmijët shqiptarë të rrezikuar nga interneti, 44 % shohin pornografi

“Ajo ishte vetem 13 vjeçe dhe ishte njohur në internet me dikë që i kishte thënë se ishte moshatar i saj, 15 vjeç. Ata biseduan për pak kohë dhe më pas shkëmbyen numrat e telefonit për të folur.


Pikërisht në atë moment vajza e kuptoi se ai ishte më i madh në moshë. Burri i kërkoi të takoheshin dhe madje e kërcënoi, kështu që vajza u frikësua.”

Aq e frikësuar ishte, thotë Mirgit Vataj, supervisor i linjës kombëtare të këshillimit  për fëmijë ALO 116, saqë refuzonte ti tregonte prindërve apo të informonte policinë, e frikësuar se situata ku ndodhej mund të bëhej publike dhe ti sillte pasoja.

Përfundimisht ALO 116 e bindi vajzën që ti lejonte të njoftonin shkollën duke përfshirë punonjësit lokalë me të cilët bashkëpunon kjo linjë. Megjithatë, ekspertët ligjorë dhe ata të mbrojtjes së fëmijëve janë të shqetësuar se fëmijët shqiptarë janë tepër të rrezikuar nga komunikimi i qëllimshëm i pedofilëve shfrytëzues në internet.

“Nëpërmjet komunikimit me ta (fëmijët), kemi kuptuar që të besojnë lehtësisht edhe nëse nuk të njohin mirë. Niveli i besueshmërisë është kaq i lartë, ndërsa niveli i ndërgjegjësimit lidhur me rrezikun e internetit është kaq i ulët”-tha Vataj për Balkan Investigative Reporting Netëork, BIRN.

Pavarësisht këtyre shqetësimeve, BIRN ka mësuar se disa prej ofruesve më të mëdhenj të shërbimit të internetit, ISP, nuk ofrojnë mekanizma të kontrollit prindëror që do të mundësonin menaxhimin e komunikimit apo bllokimin dhe monitorimin e websajteve që vizitojnë fëmijët, duke i lënë minorenëve mundësinë për biseduar pa mbikqyrje me të huaj dhe duke aksesuar lehtësisht faqe për të rritur, përfshirë këtu dhe ato pornografike. Edhe në ato raste kur këto mekanizma janë të disponueshme, shumë pak prindër në Shqipëri aktivizojnë programet e kontrollit prindëror.

Rreziku nga të panjohurit

“Çdo shtëpi sot është e lidhur në internet, edhe në zonat më të thella, por kjo përhapje nuk është shoqëruar me informacionin ndaj rreziqeve të internetit, çka e ka ekspozuar shoqërinë shqiptare, veçanërisht minorenët ndaj rreziqeve të pedofilisë”-paralajmëron Dr.Fabian Zhilla, ekspert i krimit kibernetik dhe professor në Institutin Kanadez të Teknologjisë në Tiranë.

Zhilla ka qënë pjesë e ekipit të ekspertëve që përpiloi një raport mbi përdorimin e internetit nga fëmijët shqiptarë për organizatën ndërkombëtare të krishterë, të zhvillimi dhe advokimit World Vision në vitin 2014.

Kërkuesit intervistuan 871 fëmijë të moshave nga 13 deri në 18 vjeç në zonat rurale dhe ato urbane në 6 qarqe të Shqipërisë. 47 % e fëmijëve thanë se janë kontaktuar nga një i huaj përgjatë vitit të mëparshëm, ku në 40 % të rasteve ishin shtetas të huaj.

Edhe pse nuk ka një shifër të saktë për numrin e fëmijëve të cilët i kanë takuar fizikisht këta të panjohur, Zhilla paralajmëron se autoritetet nuk kanë një strategji konkrete për të analizuar rreziqet që vijnë nga pedofilët online.

“Reagimi i shtetit ndaj raportit ishte krejtësisht amorf. Jam i shokuar sepse studimi solli në dritë disa të dhëna mbi rreziqet e pedofilisë online që institucionet duhet ti kishin marrë në konsideratë”-thotë ai.

Veç kësaj, Zhilla beson se policia nuk i ka kapacitetet apo burimet e mjaftueshme për tu përballur me të gjitha çështjet e sigurisë në internet me të cilat përballen minorenët në Shqipëri, përfshirë këtu bulizmin dhe shtrëngimin për tu përfshirë në sjellje të rrezikshme.

Evisa Kambellari, pedagoge e drejtësisë penale në Universitetin e Tiranës shprehet gjithashtu e shqetësuar.

“Kam vënë re që numri i procedimeve penale është shumë i ulët për këto raste. Nuk kam dëgjuar deri më tani, që dikush të përdorë këto taktika, duke krijuar profilë të rremë për të kapur njerëz të rrezikshëm, të cilët të jenë arrestuar”-thotë Kambellari për BIRN.

Në një përgjigje të shkruar për BIRN, Sektori i Krimit Kompjuterik në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit theksoi se këto lloj krimesh janë komplekse dhe përfshijnë bashkëpunim me institucione të tjera, në disa raste edhe me organizatat ndërkombëtare si Interpol dhe Europol.

“Duhet të theksojmë se në këto raste, hetimet kanë qënë të suksesshme dhe kemi identifikuar të dyshuarit duke i çuar para drejtësisë”-thuhet në përgjigjen nga zyra e shtypit.

“Asnjëherë nuk mund të themi që burimet janë të mjaftueshme pasi teknologjia ecën me ritme të shpejta dhe kjo do të kërkonte një përgjigjie të njëjtë nga ne… Sektori për Krimet Kompjuterike ka një strukturë të konsoliduar dhe të trajnuar për të hetuar këto vepra”

Studimi: 44 % e fëmijëve shohin pornografi çdo ditë 

Përveç rrezikut që përbëjnë pedofilët të cilët kontaktojnë minorenët online, 44 % e fëmijëve pjesëmarrës në raportin e World Vision thanë se shohin pornografi çdo ditë në internet, çka për ekspertët e ndihmës sociale ndaj fëmijëve është ekstremisht shqetësuese.

Erinda Ibrahimllari, koordinatore e Qëndrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri, CRCA, që drejton linjën ALO 116, thotë se ka hasur fëmijë të cilët janë tërësisht të pavetëdijshëm ndaj këtij rreziku.

“Shpesh, fëmijët nuk e kuptojnë që ajo që po shohin apo po bëjnë është një formë abuzimi ndaj tyre”-thotë ajo.

Anila Sulstarova, psikologe dhe profesore në Fakultetin e Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës, ka trajtuar disa fëmijë të cilët janë traumatizuar rëndë nga ekspozimi ndaj porografisë. Ajo thekson se fëmijët do të imitojnë atë që shohin pa qënë të aftë për ta përpunuar apo kuptuar.

“Fëmijët nuk janë gati të përballen me këto akte të cilat nuk mund ti kuptojnë apo të jenë të vetëdijshëm. Fëmijët sot mësojnë shumë nga televizioni, por nga pornografia nuk mund të mësojnë asgjë. Përkundrazi ata thjesht do të përpiqen të pretendojnë dhe të sillen “sikur’….dhe kjo shndërrohet në një lloj traume”-paralajmëron Sulstarova.

Ekspertët ligjorë thonë se legjislacioni shqiptar nuk është i përshtatshëm për të mbrojtur fëmijët nga rreziqet me të cilat përballen online, siç është dhe aksesi ndaj materialeve pornografike.

Sipas nenit 117 të Kodit Penal në Shqipëri, shpërndarja dhe publikimi i materialeve pornografike në mjediset e minorenëve është vepër penale e ndëshkueshme me gjobë ose burg deri në 2 vjet. Veç kësaj legjislacioni që mbron të drejtat e fëmijëve në nenin 24 ndalon gjithashtu shfaqjen e materialeve pornografike nën 18 vjeç.

Megjithatë Kambellari thotë se Shqipëria ka nevojë për ligje të posaçme që mbrojnë fëmijët nga aksesi në materialet e papërshtatshme në internet, përfshirë dhe pornografinë, dhe të bëjë përgjegjës ata që nuk kufizojnë aksesin në internet.

“Ne nuk mund të përdorim Kodin Penal, që trajton krimin tradicional dhe ta përshtatim për krimet kibernetike. Ky është një fenomen i ri, që po manifestohet me forma të reja gjithnjë e më shumë. Ndaj dhe është e nevojshme të hartojmë ligje specifike”-thotë ajo.

“Mendoj se do të ishte më mirë, nëse do të kishim një ligj që ndëshkon transmetimin e lirë në internet të materialeve pornografike”

Agjencia Kombëtare për Sigurinë Kompjuterike, ALCIRT, pranon se nuk ka ligje specifike për të mbrojtur fëmijët nga rreziqet online, siç thekson Kambellari. “Për ne e paligjshme është vetëm ajo çka parashikohet në Kodin Penal”-thotë Rovena Bahiti, drejtoreshë e ALCIRT.

ISP-të nuk janë të detyruara të ofrojnë kontroll prindëror

ALCIRT ka nënshkruar një marrëveshje të quajtur Kodi i Sjelljes me ISP-të, sipas të cilit këto kompani kanë si qëllim të ofrojnë mekanizma të kontrollit prindëror klientëve të tyre, duke ndihmuar kështu prindërit të monitorojnë dhe ndalojnë fëmijët nën 18 vjeç që të aksesojnë përpmbajtje të papërshtatshme, përfshirë këtu dhe materialet e dhunshme apo qartësisht seksuale.

Megjithatë, Bahiti konfirmon se operatorët e telekomunikacionit dhe ISP-të nuk janë të detyruar me ligj të ofrojnë mjete të kontrollit prindëror.

Albtelecom, me rreth 1,5 milion klientë, është kompania më e madhe e telekomunikacionit në vend, e megjithatë nuk ofron programme specifike që ti lejojë prindërve të kontrollojnë apo monitorojnë faqet që shohin fëmijët e tyre.

“Një operator i vetëm nuk mund ta bëjë këtë. Kemi nevojë për një marrëveshje të re teknike që ti përfshijë të gjitha ISP-të (ofrues i shërbimit të internetit). Është e nevojshme që ISP-të e mëdha të bashkohen që të krijojnë një softëare të përbashkët dhe më pas ta aplikojnë atë”-tha për BIRN Alban Tartari, drejtor i komunikimit me median dhe publikun në Albtelecom.

Vodafone, ofron shërbim interneti për gati 1 milion shqiptarë dhe ajo gjithashtu nuk ofron kontroll specific prindëror, megjithëse ofron mjete më pak të sofistikuara për të kontrolluar celularët.

“Aplikacioni Vodafone Guardian është falas dhe duhet të instalohet në të dy telefonat celular (fëmija dhe prindi), në mënyrë që prindërit të zgjedhin se cilat numra mund ti telefonojnë fëmijëve të tyre si dhe mund të bllokojë aksesin në internet përkohësisht”-thotë Kushtrim Shala, menaxher produkti në departamentin e marketingut në Vodafone.

Telekom Albania, një tjetër kompani e madhe internet dhe ISP, tha për BIRN se zbaton legjislacionin shqiptar por refuzoi të komentojë më tej. Në websajtin e kompanisë nuk përmendet asnjë mekanizëm i kontrollit prindëror.

Ekspertët, përfshirë dhe autorët e raportit të World Vision, janë shumë kritikë ndaj faktit që ISP-ve nuk u kërkohet me ligj që të sigurojnë kontroll prindëror të internetit.

“ISP-të duhet të garantojnë që ata që janë nën 18 vjeç të mos kenë akses në këto faqe. Por nuk ka asgjë që i detyron ata nga ligjore”-thotë Kambellari.

Në një deklaratë të shkruar, zyra e Milena Harito, Ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike tha për BIRN se bashkë me 3 ministri të tjera dhe organizatat e shoqërisë civile po hartojnë një plan të ri kombëtar për sigurinë e fëmijëve në internet që pritet të publikohet në mars.

E pyetur për të komentuar drejtpërdrejtë mbi faktin se pse ISP-të nuk janë të detyruar ligjërisht të ofrojnë programme të kontrollit prindëror, deklarata thekson se “Kodi i Sjelljes” është hartuar nga vetë ISP-të në bashkëpunim me ministrin e TIK të asaj kohe. “Lidhur me atë çka duhet të ofrojnë ISP-të për mekanizma filtrues dhe të kontrollit prindëror, ky proces është inkurajuar prej nesh”-thuhet në deklaratë.

Rudolf Papa, drejtor I kabinetit në Autoritetin Shqiptar të Komunikimeve Elektronike dhe Postare shprehet se do të ishte mirë të kishte një ligj që I detyron ISP-të për të ofruar aplikacione të kontrollit prindëror, por thekson se kostoja e një procesi të tillë duhet marrë parasysh dhe se vetëm kërkesa e lartë nga prindërit mund të garantojë që të ofrohen këto programe.

Megjithatë, ai insiston se “Kodi I Sjelljes” nuk duhet marrë si pa vlerë. “Edhe nëse nuk është detyrues nga ana ligjore, është gjithësesi I vlefshëm. Në momentin që të dyja palët (qeveria dhe ISP-të) e kanë nënshkruar, sepse kodi….nuk është shkruar kot”.

Veç përqindjes së lartë të fëmijëve shqiptarë që zgjedhin të shohin pornografi online, 45 % e të gjithë fëmijëve që morrën pjesë në studimin e World Vision thonë se janë ekspozuar pa dëshirën e tyre ndaj këtyre materialeve çdo ditë.

“Pjesa më e madhe e materialit pornografik i padëshiruar shihet në qendra internet, siç theksojnë 52 % e fëmijëve në zonat rurale dhe 61 % e fëmijëve në zonat urbane”-thotë raporti.

World Vision i ka bërë apel qeverisë që rë punojë me internet kafetë për të përforcuar krijimin e “zonave miqësore për fëmijët” që i lejon ata të lundrojnë të sigurt në internet përmes aksesit të rregulluar paraprakisht që kufizon hyrjen në faqe për të rritur, duke i mbrojtur nga materialet që shohin adultët në të njëjtin vend.

Prindërit neglizhojnë ndaj sigurisë në internet

E megjithatë ekspertët besojnë se prindërit nuk janë të informuar mjaftueshëm për nevojën e monitorimit të fëmijëve online dhe mjetet e disponueshme për ta bërë këtë.

“Sot ka plot programe për të kontrolluar internetin por prindërit nuk janë të informuar për këtë”-thotë Zhilla.

Komentet e tij duket se konfirmohen nga prindërit me të cilët BIRN ka biseduar. Në fakt nga 5 prindër të pyetur, vetëm një ishte në dijeni të ekzistencës së këtyre aplikacioneve që i ndihmojnë ata të kontrollojnë atë çka fëmijët shohin në internet.

Një baba i dy fëmijëve të moshave 11 dhe 15 vjeç thotë se kompania e tij e internetit nuk i ka përmendur kurrë produkte për kontrollin prindëror, ndërsa një nënë në Kosovë thotë se aktivizoi kontrollin pasi vajza e saj adoleshente bëri disa komente nga të cilat ajo kuptoi se (vajza) kishte informacion mbi seksin. /Erjona Rusi-BIRN/



Ju sugjerojmë

I nxehti afrikan përfshin Italinë, temperatura deri në 40°C në disa rajone
Bota

I nxehti afrikan përfshin Italinë, temperatura deri në 40°C në disa rajone

8 Qershor, 2025 7:59 pm
“Ec mi xhuxhmaxhuxhe!” Me fyerje e urdhra, kunati bën ‘ligjin’ në shtëpinë e çiftit
Aktualitet

“Ec mi xhuxhmaxhuxhe!” Me fyerje e urdhra, kunati bën ‘ligjin’ në shtëpinë e çiftit

8 Qershor, 2025 7:53 pm
“Krenarë që jemi një qytet emigrantësh”, kryebashkiakja e Los Angeles sfidon Trump
Bota

“Krenarë që jemi një qytet emigrantësh”, kryebashkiakja e Los Angeles sfidon Trump

8 Qershor, 2025 7:31 pm
Pse vendimi i Trump për të përdorur Gardën Kombëtare është i pazakontë
Bota

Pse vendimi i Trump për të përdorur Gardën Kombëtare është i pazakontë

8 Qershor, 2025 7:01 pm
Natron, liqeni i kuq në Tanzani që i kthen kafshët në “gur”
-Jetë dhe Stil

Natron, liqeni i kuq në Tanzani që i kthen kafshët në “gur”

8 Qershor, 2025 6:27 pm
Demenca e hershme, faktorët që mund të ndikojnë në shëndetin e trurit
-Jetë dhe Stil

Demenca e hershme, faktorët që mund të ndikojnë në shëndetin e trurit

8 Qershor, 2025 5:56 pm
Mashtrim duke përdorur emrin e Postës, Autoritetet: Ju vjedhin të dhënat bankare
Kronikë

Mashtrim duke përdorur emrin e Postës, Autoritetet: Ju vjedhin të dhënat bankare

8 Qershor, 2025 5:27 pm
Protestat, 2 mijë ushtarë vendosen në Los Angeles me urdhër të Trump
Bota

Protestat, 2 mijë ushtarë vendosen në Los Angeles me urdhër të Trump

8 Qershor, 2025 5:11 pm
Babai i Elon Musk në Moskë, flet për debatin e të birit: Bëri një gabim me Trump
Bota

Babai i Elon Musk në Moskë, flet për debatin e të birit: Bëri një gabim me Trump

8 Qershor, 2025 5:06 pm
Spanjë/ Protesta kundër qeverisë së “Sanchez”, thirrje për zgjedhje të parakohshme
Bota

Spanjë/ Protesta kundër qeverisë së “Sanchez”, thirrje për zgjedhje të parakohshme

8 Qershor, 2025 4:56 pm
Para
Horoskopi, 21 janar

Horoskopi, 26 Janar

‘Të ritakohesh pas 70 vitesh’. Historia e jashtëzakonshme e dashurisë

'Të ritakohesh pas 70 vitesh'. Historia e jashtëzakonshme e dashurisë

‘Ngrin’ dialogu Kosovë-Serbi, shkak zgjedhjet e parakohshme

'Ngrin' dialogu Kosovë-Serbi, shkak zgjedhjet e parakohshme

Please login to join discussion















TE FUNDIT

I nxehti afrikan përfshin Italinë, temperatura deri në 40°C në disa rajone

I nxehti afrikan përfshin Italinë, temperatura deri në 40°C në disa rajone
8 Qershor, 2025

Duke filluar nga e diela dhe veçanërisht gjatë javës së ardhshme, në Itali do të mbërrijë vala e dytë e...

Lexo më shumë

“Ec mi xhuxhmaxhuxhe!” Me fyerje e urdhra, kunati bën ‘ligjin’ në shtëpinë e çiftit

“Ec mi xhuxhmaxhuxhe!” Me fyerje e urdhra, kunati bën ‘ligjin’ në shtëpinë e çiftit
8 Qershor, 2025

Prej 25 vitesh, në shtëpinë ku  Lavdia jeton me familjen e saj dhe të kunatit, Gazmendit, nuk ka pasur harmoni. Siç ajo parashtron problemin në...

Lexo më shumë

“Krenarë që jemi një qytet emigrantësh”, kryebashkiakja e Los Angeles sfidon Trump

“Krenarë që jemi një qytet emigrantësh”, kryebashkiakja e Los Angeles sfidon Trump
8 Qershor, 2025

Karen Bass, kryetarja e Bashkisë së Los Angeles-it, është përballur me kritika të ashpra nga republikanët dhe Presidenti Donald Trump...

Lexo më shumë

Pse vendimi i Trump për të përdorur Gardën Kombëtare është i pazakontë

Pse vendimi i Trump për të përdorur Gardën Kombëtare është i pazakontë
8 Qershor, 2025

Trupat e Gardës Kombëtare mbërritën në Los Angeles në orët e para të mëngjesit të së dielës, pasi presidenti Donald...

Lexo më shumë
Opinion.al

Kategoritë

Kryesore

Aktualitet

Unë Shkruaj

Komente

Bota 

Sport 

Instabiz

Opinion Web Tv

Lifestyle

Galeri

Rreth Nesh

ON AIR: E hene – E marte – E merkure – 22:15 E ejnte – 21:00

OPINION nga Blendi Fevziu. Emisioni politik me i ndjekur dhe me i preferuar ne ekranet shqiptare.
“Opinion” vjen ne kater takime cdo jave – e hene, e marte, e merkure dhe takimi tradicional i te ejntes mbrema.
Cdo jave ne studion e Tv Klan, komente, analiza, debate, komente, intervista, personazhe, deshmi dhe fakte konkrete. Ngjarjet me te fundit dhe me te rendesishme ne jeten politike dhe sociale te vendit, me debatet, opinionet dhe analizat e te ftuarve ne studio.
Salloni i politikes dhe aktualitetit hap dyert 4 mbremje ne jave, per te degjuar opinionet e politikaneve dhe analisteve. Padron i shtepise, gazetari dhe analisti Blendi Fevziu.

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com