Një familje nga Vlora dyshohet se është prekur nga koronavirusi. Ata janë nisur me urgjencë drejt Tiranës ku iu është marrë tamponi dhe tashmë priten rezultatet e testeve.
Burime nga ABC News bëjnë me dije se bëhet fjalë për 4 anëtarë të një familje, gjyshja 77 vjeçe, burri 69 vjeçar, gruaja 50 vjeç dhe djali 24 vjeç.
Ata dyshohet të jenë infektuar nga një pjesëtar tjetër i familjes i cili kishte ardhur nga Bergamo por që tani është larguar drejt Gjermanisë.
Vlora deri tani është jashtë hartës së qyteteve të prekura nga koronavirusi në Shqipëri. Në njoftimin e sotëm ministria e Shëndetësisë tha se janë konfirmuar edhe 13 raste të reja me koronavirus në Shqipëri, duke e çuar në total 89 numrin e të infektuarve. Nga këta 3 janë shëruar dhe 1 ka ndërruar jetë.
Qytetet e prekura sipas të dhënave zyrtare janë Tirana, Durrësi, Kavaja, Rrogozhina, Fieri, Elbasani, Korca dhe Lushnja. /Opinion.al