Bota

Europa drejt izolimit, ndërsa në Florida mijëra njerëz mbushin plazhet


               Publikuar në : 11:52 - 17/03/20 |
Al Do

Sfida për të mbyllur njerëzit në shtëpi për të parandaluar përhapjen e koronavirusit padyshim nuk do të jetë e lehtë. Pothuajse të gjitha vendet europiane kanë ndërmarrë masa izoluese dhe po mbyllin kufijtë dhe qytetarët me kalimin e kohës po i binden thirrjes për të qëndruar në shtëpi.

Në SHBA kjo do të jetë edhe më e vështirë duke qenë se njerëzit përgjithësisht kanë një tendencë kundërshtuese ndaj autoritetit qëndror në Uashington.

Kjo gjë është pasqyruar qartë në plazhet e Floridas. Megjithëse Presidenti Trump bëri thirrje që të shmangen grumbullimet dhe të ruhet distanca, mijëra të rinj e të reja kanë mbushur plazhin Clearëater në Florida.

Pamjet tregojnë se ata nuk e kanë marrë seriozisht paralajmërimin për rrezikun e koronavirusit. Të relaksuar dhe pranë njëri tjetrit ata rrezikojnë që pandemia e COVID-19 të përhapet me ritme të frikshme në SHBA.

Deri tani SHBA ka 4,700 persona të konfirmuar me koronavirus dhe 93 viktima ndërsa pritet që të kryhen testime në masë pasi sistemi u kap i papërgatitur nga shpërthimi i virusit. /Opinion.al

Pas