Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, në një prononcim për mediat nga Vlora është shprehur se hetuesit kanë një pistë kryesore për vrasjen me snajper të Gëzim Sinomatit, ngjarje e ndodhur më 7 Janar në këtë qytet.
Nga analiza e bërë për drejtorinë e qytetit bregdetar, Balla shtoi se për zbardhjen e kësaj ngjarjeje është angazhuar edhe vetë krei I Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku.
“Sapo ju thashë, është një ngjarje kriminale e rëndë për të cilën është angazhuar personalisht Drejtori i Përgjithshëm i Policisë për ndjekjen e saj, së bashku me drejtorin vendor dhe drejtues të tjerë të Drejtorisë së Përgjithshme. Besoj që në pistën kryesore që kemi, do të shkojmë drejt dokumentimit dhe arrestimit të autorëve”-tha Balla.
Hakmarrja është pista kryesore e hetimeve për zbardhjen e kësaj ngjarje të regjistruar mbrëmjen e 7 Janarit në lagjen ‘Hajro Çakërri’ në Vlorë. Sinomati u qëllua me snajper teksa kishte dalë në ballkonin e banesës së tij për të pirë një cigare.