Në mbledhjen me deputetë e drejtorë të bashkisë Tiranë, kryeministri Edi Rama foli për disa problematika të qeverisjeve vendore.
Gjatë fjalës së tij, Rama njoftoi nevojën e vendosjes së një sistemi të ri për trajtimin e mbetjeve, të shërbimit të shpërndarjes me ujë si edhe të shërbimit të shpërndarjes së naftës.
”Kemi lënë nje tjetër detyrë për të adresuar disa problematika në Bashkinë e Tiranës që lidhen me administrimin e një qyteti që rritet përditë, pastrimi, hapësirat publike, furnizimi me ujë dhe me radhë të gjitha shërbimet e tjera. Për këtë arsye kemi ngritur grupet e punës për të ndihmuar bashkinë me një reformë të brendshme organizative.
Dua të vë theksin të çështja e shërbimit me ujë, duhet të krijojmë operatorin e shpërndarjes së ujit njësoj si operator i shpërndarjes se energjisë elektrike..na duhet një koorporatë e re që të adresojë problemin e investimeve, e të gjitha marrëdhënieve me donatorë me institucionet financiare në të gjithë Shqipërinë që janë lesh e li dhe të adresojë problemin e fragmentarizmit të burimeve dhe menaxhimit që pas 30 e kusur vitesh është e kot të presim rezultate të dëshiruara.
Përmirësimet janë të dukshme por të pamjaftueshme…qoftë për ujin dhe trajtimin e mbetjeve do duhet të kalojmë në nivel kombëtar dhe të krijojmë sinergji me koorporata ndërkombëtare të nivelit më të lartë në një fazë të caktuar.
Kjo do na ndihmojë qoftë te shërbimi i furnizimit me ujë, qoftë investimet dhe patjetër transparencës në të gjitha këto procese ku ka shumë faktorë. Te sistemi i mbetjeve kemi një hartë që sot është shumë më ndryshe nga se ishte, por që duhet të konsolidohet dhe të bëhet një sistem i trajtimit të mbetjeve në nivel kombëtar.
Po punojmë me ministrinë e shëndetësisë për furnizimin e gjithë sistemit publik dhe privat me barna me shtetin si palë. Ka ardhur koha të kalojmë në një rol të ri të shtetit.
Po punojmë intensivisht për një sistem të ri të furnizimit të naftës, domosdoshmëri dhe mundësi për të kaluar edhe te furnizimi i naftës me një komponent të ri të shtetit si protagonist në realizimin e kontratave dhe furnizimin me naftë. Që mendojmë se do të sjellë një kontroll më të madh në çmimin dhe qarkullimin e naftës”, tha Rama.

















