Aktualitet

E plotë/ Ja shpërndarja e votave në Maqedoni


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 09:34 - 12/12/16 |
b.f

Në Maqedoni u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare ditën e diel. Sipas të dhënave të Komisionit të Zgjedhjeve në bazë të 99 për qind të votave të numëruara, VMRO-DPMNE e Nikolla Gruevskit ka fituar 38.06 për qind të votave, ndërsa Lidhja Social Demokratike e Zoran Zaevit, ka fituar 36.69 për qind. E përkthyer në mandate, 51 për Gruevskin dhe 49 për Zaevin.

Zyrtari i lartë i VMRO-DOPMNE-së Vlatko Gjorgjev shpalli fitoren pas mesnate. Por, udhëheqësi i LSD-së, Zoran Zaev, tha se koalicioni opozitar ka një mandat më shumë sesa VMRO DPMNE.

Katër parti politike që përfaqësojnë shqiptarët morën pjesë në zgjedhje por duket se kësaj radhe kanë humbur vende. Tradicionalisht një parti shqiptare i bashkohet koalicionit qeverisës. Edhe kësaj radhe, Ali Ahmeti që mori 10 mandate besohet se do ti bashkohet Gruevskit.

Në total, partitë shqiptare kanë nxjerrë 20 deputetë të ndarë mes 4 partive. 10 mandate deputetësh ka fituar BDI, 5 “Lëvizja Besa”, 3 mandate ka fituar Aleanca për Shqiptarët dhe PDSH ka marrë vetëm 2 mandate. Surprizë ishte Lëvizja Besa e pozicionuar në opozitë e cila arriti për herë të parë të marrë 5 mandate. Ndërsa PDSH e Menduh Thaçit humbi thellë. Thaçi ka thënë se do ti bashkojë votat me Besën.

Zgjedhjet e së dielës në Maqedoni pasuan një krizë politike për shkak të pohimeve për korrupsion qeveritar, gjë që çoi në dorëheqjen e kryeministrit Nikola Gruevski në muajin janar të këtij viti.

Vendi është drejtuar më pas nga një qeveri teknike. Njëmbëdhjetë parti politike dhe koalicione konkurruan për të zënë vend në parlamentin me 123 deputetë. Maqedonia është e ndarë në gjashtë zona zgjedhore dhe secila dërgon nga njëzet deputetë në parlament, si dhe zona e shtatë që përfshin diasporën, prej nga zgjidhen tre deputetë.

Në zgjedhje morën pjesë rreth 66 për qind e mbi 1 milion e 700 mijë votuesve me të drejtë vote. Zgjedhjet u vëzhguan nga 667 vëzhgues ndërkombëtarë dhe 7 mijë e 585 vendës. Vetëm ODIHR kishte dërguar 360 vëzhgues.

Pas