Gazetari i “ABC News”, Flamur Vezaj në studion e emisionit Opinion në TV Klan, ka theksuar se kryetari i Bashkisë së Kavajës Elvis Roshi ka falsifikuar katër formulare të deklarimit të dekriminalizimit. Vezaj tha, sipas Prokurorisë, Roshi nuk ka deklaruar katër raste të precedentëve të tij kriminal të supozuara se janë kryer jashtë vendit.
Më tej, ai deklaroi se sipas Prokurorisë rezulton se nuk ka deklaruar në formularin për dekriminalizim, një dënim për rastin e një përdhunimi të një minoreneje në grup, në vitin 1995 në Itali.
Nuk ka deklaruar përdorimin e disa emrave në Zvicër, në muajin prill të vitit 1993 ka hyrë në mënyrë të paligjshme në shtetin zviceran dhe ka kërkuar azil. Në 14 maj të vitit ’93 ai është ndaluar nga policia e Zyrihut për një rast droge dhe është dëbuar katër muaj më vonë.
Në korrik të vitit 1997 ka hyrë përsëri në mënyrë të paligjshme dhe ka kërkuar azil po në Zvicër dhe në gusht të ’97 është dëbuar sërish.
Në vitin 2015 DEA amerikanë ka informuar autoritetet zvicerane se po hetojmë një shtetas të quajtur Enver Roshi për trafik droge dhe pastrim parash.
Vezaj, bëri me dije, se duke i referuar të dhënave të Prokurorisë, Elvis Roshi nuk i ka deklaruar këto të dhëna në formularin e dekriminalizimit.
Lidhur me këtë Artan Hoxha, gazetar i “News 24” ka thënë se Prokurori ka marrë tre emrat që përfshijnë të treja partitë kryesore. PS, PD dhe LSI. “Në rast se për çështjen Balili u prit 7 muaj, siç e ka legjislacioni shqiptar, pse për rastet e këtyre nuk është pritur?
“Unë e kam pritur prej kohësh që Prokuroria të reagonte , por në rastin konkret ata kanë gjetur një zgjidhje perfekte. Kanë gjetur tre përfaqësuesit nga 3 partitë kryesore parlamentare shqiptare. Një nga PS, një nga PD dhe një nga LSI, për të qënë të balancuar të tre. Prandaj nuk shkon kjo histori, duket që ka një kleçk mbrapa. Ata i kanë implikuar të treja partitë politike për të thënë që janë në rregull”, është shprehur Hoxha.
Analisti Artur Zheji, ka deklaruar në studion e Opinion, se njerëzit që favorizohen më shumë nga politika për të marrë poste shtetërore, janë individë me të shkuar të dyshimtë.
Sipas tij, kjo ndodh, për faktin se ata njerëz janë të fuqishëm në terren dhe kanë aftësinë të mbledhin një numër shumë të madh votash për partitë politike. Ndërsa, kjo e fundit, -tha ai- nuk interesohet aspak për burimin e pasurisë apo të shkuarën e tyre, por u interesojnë votat që ata marrin.
“Ky është ai qeni që kafshon bishtin e vet. Nga njëra anë na duhen këta njerëz se marrin vota, nga momenti që këta marrin vota, ata kërkojnë favore të ndryshme, minimialisht duan të riciklojnë origjinën e parave të tyre. Dhe në një moment të caktuar, vjen një standard i ri, siç është ky ligji i dekriminalizimit”.
Zheji theksoi se pasi këta element arrinë të mbledhin vota për partitë politike, ata pastaj nisin të kërkojnë favore, minimalisht për ata, është e rëndësishme riciklimi i pasurisë së tyre.
Më tej, ai ka marrë një paralele duke lidhur Italinë e një gjysmë shekulli më parë, me ngjarjet e sotme që po zhvillohen në politikën shqiptare.
Zheji tha: duke dëgjuar disa intervista të ekspontentëve kryesor të mafies italiane, të cilët tregojnë marrëdhëniet e tyre me Borselinon, Prokuror i Përgjithshëm i Antimafies që është vrarë. Si dhe lidhjet e mëdha që flitej për Andreotin, ish-kryeministri i Italisë me politikën, krimin dhe paratë, Berlusconi, me një fjalë; një sallatë ruse në terma të përgjithshme dhe që përbënte Italinë e djeshme. Dhe që po bëhet Shqipëria e sotme.
Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi në studion e emisionit Opinion, në lidhje me dënimin e kreut të Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, ka kryer një vepër të rëndë kriminale dhe është dënuar për këtë.
Bylykbashi tha se kjo çështje është kaq e thjeshtë, ligjit vetëm kjo gjë i mjafton. Sipas tij, në momentin që kalon tek ky nivel, përjashtohesh përjetë.
Ai tha se një vepër e tillë penale, pra dënimi i Gjykatës italiane për përdhunim në grup të një minoreneje.
Deputeti i PD-së, deklaroi se Roshi e fshehu ngjarjen, edhe pse ai pretendon se nuk ishte në dijeni të kësaj ngjarje.
“Roshi është arrestuar për një vepër penale të tillë dhe më pas është proceduar në mungesë eventualisht. Por është dënuar. Ai ka dije për këtë dhe e deklaron, njeriu e mban mend faktin se ka qenë i arrestuar dhe kaq gjë njeriu e mban mend se nuk i ndodh përditë. Ndoshta zotërisë i ndodh aq shpesh sa që memoria i është zënë me të gjitha këto fakte, gjëja më normale në këto raste është jepet dorëheqja”.
Theodhori Sollaku, avokat i kryebashkiakut të Kavajës Elvis Rroshi, ky i fundit akuzuar për mashtrim në formularin e dekriminalizimit.
Elvis Rroshi akuzohet për përdhunim në grup, për trafik droge etj, i pyetur për këto nga Blendi Fevziu avokati i tij Sollaku tha se në të dhënat që kanë ardhur së fundmi për Rroshin nga hetime e Prokurorisë, janë në favor të tij, po ashtu ai tregon edhe arsyet që sipas tij Rroshi del i pafajshëm, shkruan opinion.al.
“Gjithçka u ndërtua 7 muaj më parë mbi bazë të informacioneve policore. Të cilat me bold shkruanin që këto janë vetëm për qëllime policore, pra nuk janë prova për tu përdorur në një proces ligjor. Prokuroria kuptoi mbasi u bë arresti, arresti shtëpiak etj, dhe ka bërë letër porosi. Sepse merren verifikohen provat pastaj arrestohet, jo të arrestohet e pastaj të verifikohen provat.
Autoritetet Zvicerane thonë se nuk ka asnjë gjë me përgjigjen që kanë dhënë. Sepse imagjinoni ju, në Zvicër të jesh i arrestuar për drogë e të të lëre njeri të ikësh, por nuk të lë njeri të ikësh jo. Ndërsa në Itali është gjykuar në mungesë, pa avokat dhe pa asnjë provë”, është shprehur Theodhori Sollaku, avokati mbrojtës i kryebashkiakut të Kavajës Evlis Rroshi.
Deputeti i LSI-së, Shkëlqim Selami, ka theksuar se Partia Demokratike i ka bërë presion prokurorisë, pasi e gjithë kjo ngjarje është nisur nga një shkresë e një individi që e ka çuar në prokurori.
Selami tha se prokuroria ka kërkuar në KQZ heqjen e mandatit të deputetit Shkëlqim Selami. Ai deklaroi se ky informacion ka ardhur në bazë të një dokumenti të vitit 1994, që është i akuzar për trafik të qënieve njerëzore nga policia e Brindisit.
“KQZ-ja i kthen përgjigje, pasi e verifikon informacionin, se nuk ka asnjë të dhënë në formularin e z.Selami. Ata në të njëjtën kohë, dërgojnë shkresën në Kuvend, që deputeti Selami të vijë nesër që të paraqitet në Prokurori”.
Fevziu: Çfarë ka ndodhur në Brindisi në vitin 1994?
Selami: Absolutisht nuk kam qenë në dijeni se në vitin ’94 jam i kërkuar në Itali apo kam një proces gjyqësor në atje. Sepse këtë e hedh poshtë publikisht me dokumente dhe shkresa doganore, pse? Sepse në vitin 1994 vija katër herë në muaj në Itali se bëja biznes. Kisha shumë dyqane. Shkoja dhe vija me maune. Unë nuk e kam ditur.
Një debat i fortë është zhvilluar mes deputetit të PS-së, Alfred Peza dhe deputetit të PD-së, Oerd Bylykbashi, lidhur me dekriminalizimin.
Duke akuzuar partitë kundërshtare ata kanë debatuar mbi emrat e deputetëve të cilët do të ishin në listën e dekriminalizimit.
Deputeti Peza i është drejtuar Bylykbashit me pyetjen: “Ku janë 19 deputetët që janë pjesë e ligjit të dekriminalizimit nga Partia Socialiste?”, është shprehur Peza. Kjo është pyetja më e rëndësishme që mund të bëhet ndaj shqiptarëve për tu tallur me shqiptarët. Po nëse janë 5, 7, 10 ka ndonjë diferencë o zoti Peza për situatën në të cilën ndodhemi”, i ka thënë Bylykbashi.
Nga Prokuroria e Përgjithshme, live në studion e Opinion, ka ndërhyrë Rovena Gashi, Drejtore e Verifikimit të Informacionit me Jashtë, ku deklaroi se Prokuroria ka nisur verifikimet pas indicies që deputeti Shkëlqim Selami kishte si i dënuar në vitin 1994 në Itali.
Gashi tha: se ligji e dekriminalizimit, i miratuar nga deputeti Selami dhe 139 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Prokurori i Përgjithshëm është autoriteti i cili ka iniciativën për të filluar verifikimin për zyrtarët e nivelit të lartë, përfshi edhe deputetet e Kuvendit të Shqipërisë. Procedura për këtë zotëri, ka qenë inciativa e Prokurorit të Përgjithshëm, duke nisur në bazë të indicies që ky deputet ka si precedent penal në Itali.
Fevziu: Çfarë precedentësh konkret?
Gashi: Ato që ai i bëri shumë të qarta vetë. Ka pasur një masë sigurimi për trafik qëniesh njerëzore në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Fevziu: Për të cilat, z.Selami thotë se ka marrë pafajësinë më pas.
Gashi: Jo, z.Selami nuk ka marrë pafajësinë. Atij i është parashtruar ekzekutimi dhe ndjekja penale. Që nga momenti që ka kryer veprën penale, ka kaluar një periudhë shumë e gjatë dhe autoritetet italiane nuk kanë pasur më interes ta ndalojnë dhe të vazhdojnë procedurën hetimore ndaj tij.
Ndër të tjera, Rovena Gashi, tha se ka deputetë të tjerë që po verifikohen nga prokuroria në kuadër të ligjit të dekriminalizimit.
Deputeti i Partisë Socialiste, Alfred Pezaj, ka deklaruar se çështja e amnistisë nuk është miratuar vetëm nga ky parlament përgjatë kësaj seance të fundit, por ato janë bërë, bëhen dhe do të bëhen gjithmonë.
Peza tha se e rëndësishme është se ato të jenë procese transparente dhe të bazohen në disa logjika të të Drejtave të Njeriut ose të disa parametrave të tjerë në të cilat operohen në raste të ngjashme.
Ai theksoi, nga ana tjetër, vjen puna dhe të gjithë ankohen për mbipopullimin e burgjeve, për dënime etj.
“Përsa i përket pjesës që Zheji thotë se PS-ja mund të përdorë element kriminal në zgjedhjet e përgjithshme të 2017-ës. Do doja t’i thoja z.Zheji dhe kujtdo tjetër, që për fatin e keq, argumentat janë kundër tij. E para, për aq sa i përket filozofisë që vepron PS-ja prej 25 vitesh dhe ADN-ja e kësaj partie nuk e ka pranuar dhe nuk e pranon kurrë një gjë të tillë. Përkundrazi, PS është nga ato forca që bazohet tek forca e moralit dhe jo tek morali i forcës. Sot argumenti është më i fortë se kurrë, sepse Gjykata Kushtetuese dhe ne për këtë duhet të flasim se nuk ka zbatim të ligjit për dekriminalizimit pa Vetting-un e gjyqtarëve dhe prokurorëve”.
Gazetari Artan Hoxha ka thënë se shifra që përmendet nga ish kryeministri Berisha, për 19 deputetë të përfshirë në listën e dekriminalizimit është e vërtet, por nuk janë vetëm nga Partia Socialiste, janë edhe nga Partia Demokratike sipas Hoxhës. Më tej Hoxha tha se ka informacione të marra gjatë një takimi me diplomat të huaj se është edhe një deputetë tjetër me precedentë i cili nuk ka dalë ende në media. Bëhet fjalë për një deputetë të dënuar në Zvicër, i cili ka nderuar identitetin dhe është pjesë e Parlamentit, shkruan opinion.al.
“Në një takim me një përfaqësi diplomatike të huaj, është diskutuar për dy deputetë të cilët nuk janë fare në listë. Të cilët nuk janë tek këto lista që kanë dalë. Pra a ka dalë në mediat shqiptare informacion për një deputetë i cili është dënuar në Zvicër, por ka ndryshuar identitetin dhe vazhdon te jetë pjestarë i Parlamentit të Shqipërisë. Por kjo nuk ka dalë akoma”, është shprehur Artan Hoxha.