Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona të cilët kishin vjedhur 175 milionë lekë (të vjetra) dhe 50 mijë franga një personi.
Shtetasi me iniciale F.B kishte denoncuar vjedhjen në datë 22 maj. Rreth orës 19:00, pranë Qendrës Kristal, në zonën e Komunës së Parisit, persona të paidentifikuar i kishin vjedhur një shumë të konsiderueshme parash prej 20 milionë lekësh të reja dhe 50 mijë franga, në automjetin e tij tip “Range Rover”.
Policia organizoi operacionin e koduar “Kombinacioni”, dhe bëri arrestimin në flagrancë të dy shtetasve në qytetin e Fierit, konkretisht:
Donald Hoxha, 27 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”;
Gentian Kane, 44 vjeç, banues në Tiranë; i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhje”
Nga veprimet hetimore rezultoi se këta dy shtetas kishin ndjekur lëvizjet e shtetasit F. B. dhe në momentin që ky shtetas është futur në qendrën tregtare, ata i kanë vjedhur shumën e parave në bagazhin e automjetit.
Në momentin e kapjes, këtyre shtetasve iu janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi parash prej 17.5 milion lekësh të reja dhe 50 mijë franga.
Materialet i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”. /Opinion.al