“Lajm i shumëpritur: Komisioni Evropian sapo miratoi propozimin për Liberalizim të Vizave për Kosovën”. Kështu shkruan në rrjetet sociale ministri i Integrimit të Kosovës, Bekim Collaku. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Komisionerit Johanes Hahn i cili thotë se “propozimi për heqjen e vizave është shpërblim i merituar për Kosovën”.
Sakaq në faqen zyrtare të KE lexojmë: “Komisioni Evropian sot i propozoi Këshillit të Bashkimit Europian dhe Parlamentit Europian për të hequr vizat për popullin e Kosovës. Propozimi është paraqitur së bashku me vlerësimin pozitiv të Komisionit, pasi Kosova ka përmbushur kërkesat e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave”.
Komisioneri për Migracion, Dimitris Avramopoulos tha: “Sot propozojë udhëtimin pa viza në BE për popullin e Kosovës me pasaporta biometrike”. “Ky është rezultat i punës së madhe dhe përpjekjeve të suksesshme të autoriteteve të Kosovës në arritjen e reformave të vështira në fushën e drejtësisë dhe punëve të brendshme. Shpresoj që Parlamenti Evropian dhe Këshilli ta miratojë propozimin tonë shpejt”, tha Komisioneri.