Katër persona janë arrestuar nga policia greke në kufirin greko-shqiptar pasi u kapën duke transportuar drogë. Operacioni është zhvilluar në fshatin Likostomo të Janinës.
Policia greke ka ushtruar kontroll në një makinë ku ndodheshin 2 femra, ndërsa gjeti dhe sekuestroi 77 pako me 230 kilogram e 150 gram marijuanë, e cila dyshohet se ka hyrë përmes kufirit të gjelbër me Shqipërinë.
Në pranga u vunë dy shtetaset greke 25 dhe 54 vjeç. Gjithashtu policia ka ndaluar dhe një mjet që shërbente për kontrollin e rrugës ku janë arrestuar dy meshkuj grekë 22 dhe 24 vjeç. Vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në trafik narkotikësh.