Nesër Kryeministri, Edi Rama do të takohet me presidentin e SHBA-ve, Barack Obama dhe zv.presidentin, Joe Biden.
I pyetur se çfarë pret nga ky takimi, Rama u shpreh se Shqipëria është e interesuar për të zhvilluar një marrëdhënie me FBI-në.
Gjatë pyetjeve në Këshillin e Atlantikut, Rama mori një ngacmim dhe nga ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu i cili tha se në zyrën e Kryeministrit mund të gjesh sende të thyera pasi ka vendosur një kosh basketbolli në zyrë.
-Europa është duke u përballur me sfida të shumëfishta. Përballeni me sfidën nga lindja, me sfidën nga jugu, një numër sfidash politike dhe ekonomike, referendumin britanik për të dalë nga Bashkimi Europian. Nga këndvështrimi shqiptar, ku mendoni se duhet të vendoset fokusi, për t’u përballur me atë që ju e quani kriza e shumëfishtë e Europës.
Kryeministri Rama: Të jesh i vogël nuk është gjithmonë një gjë e keqe, sepse për shembull, nuk ke nevojë të udhëheqësh. Mjafton të identifikosh rrugën dhe liderin për të ndjekur. Ne i kemi identifikuar dhe po ndjekim me vendosmëri rrugën e lidershipit amerikan e gjithashtu të lidershipit europian, që meqë ra fjala nuk është gjithmonë e qartë nëse ekziston. Përshembull, nëse marrim rastin e krizës së refugjatëve, kemi një lidership të shkëlqyer të Kancelares Merkel, me gatishmërinë e saj për t’u përballur me krizën duke nënvizuar vlerat më të mira europiane, por nuk mund të themi të njëjtën gjë për Bashkimin Europian si një i tërë. Ne po shohim gjëra që janë të pabesueshme, në kuptimin e se si disa vende të Bashkimit Europian përballen me këto çështje, me mënyrën se si disa vende europiane janë duke thënë që “po ne i mirëpresim refugjatët, por ata duhet të jenë katolikë”. Disa vende të tjera të BE-së, thjesht refuzojnë çdo mundësi për të qenë pjesë e një projekti të përbashkët. Kështu që, nëse do të më duhej t’i përgjigjesha shkurtimisht pyetjes suaj se gjëja më dekurajuese në të gjithë këtë situatë komplekse është mungesa e një strategjie të përbashkët të Bashkimit Europian.
-Mungesa e një strategjie europiane. Flasim për një NATO strategjike, çfarë roli shihni për Shqipërinë si një forcë në stabilitetin rajonal dhe cilët do të jenë përparësitë tuaja për samitin e NATO-s në Varshavë?
Kryeministri Rama: Përsëri, sfida jonë në këtë drejtim nuk është aq e madhe, përsa kohë që kemi identifikuar rrugën dhe i jemi përkushtuar kësaj rruge. Ne jemi anëtarë krenarë të NATO-s. Jemi gjithmonë të gatshëm për t’ju bashkuar çdo vendimi dhe nisme me forcat tona modeste, por në të njëjtën kohë, ne gjithmonë e kemi bërë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë me të gjithë zemrën dhe mendjen tonë, pasi besojmë që NATO është një forcë e madhe për të mirën e të gjithëve. Ne jemi shumë të kënaqur për ftesën që iu bë Malit të Zi. Është diçka e rëndësishme, pasi do të bëjë rajonin më të fortë dhe më të sigurt, pasi nuk duhet të harrojmë se për herë të parë, gjatë viteve të fundit, në rajon ne duhet të përballemi edhe me aktorë të tretë që nuk ishin në rajon pesë vjet më parë. Aktorë si ISIS dhe islami radikal nga njëra anë dhe Rusia nga ana tjetër. Janë aktorë të tretë shumë të interesuar, të cilët e shohin rajonin si shumë strategjik.
-Ju do të takoni Presidentin e SHBA-së dhe Zv/presidentin, nesër. Cila është pritshmëria juaj për këtë partneritet? Është tjetër gjë të shpallësh një partneritet strategjik dhe tjetër gjë t’i japësh kuptim këtij partneriteti. Çfarë synoni të arrini nga ky partneritet, cilat janë çështjet më të rëndësishme që do të diskutoni nesër?
Kryeministri Rama: Pikë së pari, është shumë i rëndësishëm fakti që ne kemi tani një marrëveshje të përbashkët e të dakordësuar të bashkëpunimit strategjik, për të cilën punojmë bashkë. Në të njëjtën kohë, ndonëse jam i gjatë, siç ju e përcaktuat më parë, jam gjithmonë i vetëdijshëm për madhësinë e vendit që përfaqësoj, ndaj nuk pretendoj të ndryshoj apo imponoj diçka. E vetmja gjë, që besoj e pretendojmë me të drejtë, është një angazhim i përhershëm i SHBA-së ndaj Shqipërisë dhe rajonit, sepse siç thashë është një histori e madhe suksesi që nuk duhet të prishet. Është një arritje e madhe mbi të cilën duhet të vazhdojmë të ndërtojmë. Fakti që SHBA-të janë një element kyç në këtë transformim historik të Ballkanit, është një gjë vërtet e madhe për ne. Nga ana tjetër, unë mendoj që mund të bëjmë më shumë. Patëm një ditë më parë një takim të shkëlqyer me Administratoren e Përgjithshme të USAID-it. Mund të bëjmë më shumë ekzaktësisht në luftën ndaj ekstremizmit, e jo vetëm atij të dhunshëm, por edhe ekstremizmit në vetvete, mund të angazhohemi në modele të suksesshme të modernizmit të luftës ndaj korrupsionit, për të bërë vendin tonë dhe vendet tona vende më të mira. Ka shumë për të marrë nga kjo marrëdhënie, mbi të gjitha në kuptimin e dijes. E fundit për nga radha, por jo nga rëndësia, jemi shumë të interesuar për të zhvilluar një marrëdhënie me FBI-në, për të forcuar forcat tona të sigurisë në terma sigurie, në kapacitete hetimore dhe për të qënë më të përgatitur për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin dhe çdo veprimtari të jashtëligjshme, që ka dëmtuar shumë aspiratat e Shqipërisë gjatë këtyre dy dekadave e më shumë.
-Ju po rendisni një numër çështjesh, FBI, bashkëpunimi më i ngushtë në fushën e sigurisë, USAID, lufta jo vetëm e ekstremizmit të dhunshëm, por ekstremizmit në përgjithësi. A ka çështje të tjera që do të cilësonit si përparësi në marrëdhënie dypalëshe?
Kryeministri Rama: Ne kemi edhe një aspekt të rëndësishëm, që ka të bëjë me sigurinë energjitike. Për këtë, jemi duke treguar me krenari historinë tonë të suksesit në fushën e energjisë, që ka lejuar vendin që të tejkalojë krizën e vazhdueshme në sektorin energjitik dhe të nisë të luajë një rol të rëndësishëm në rajon. Me interkonjeksionin me Kosovën dhe më pas me Maqedoninë, do të jemi në gjendje që të kemi një rol më të rëndësishëm, por në të njëjtën kohë, e dimë që kjo është gjithashtu pjesë e këtij bashkëpunimi me Qeverinë e Shteteve të Bashkuara, pasi është shumë e rëndësishme që të punojmë së bashku në krijimin e më shumë mundësive për zhvillimin ekonomik, investimet e huaja direkte, investimet amerikane, etj. – Do të doja të bëja një paralelizëm me atë pjesë të botës që mund ta konsiderojmë sot si “Ballkanin e botës”. Ju folët për progresin që po bën Ballkani dhe transformimin e tij, por në krizën e Lindjes së Mesme, cilat janë leksionet që duhen mësuar nga rajoni juaj? Cili është leksioni që duhet të nxjerrë diplomacia amerikane? Ju e keni vlerësuar shumë rolin e SHBA-ve në rajonin tuaj. Kjo do të ishte me shumë vlerë për shumë nga ne që jemi të përqendruar në mendimet tona për Lindjen e Mesme. Kryeministri Rama: Do të doja të thoja që pyetja nuk ishte dashamirëse për mua, pasi ngre një çështje vërtet shumë të madhe. Nga ana tjetër, më duhet të pranoj qartë se jam krenar që jam kryeministri i një rajoni ku është vërtetuar një sukses i jashtëzakonshëm i politikës së jashtme amerikane. Nuk më takon mua të them se si mund të mësoni nga kjo histori suksesi e diplomacisë amerikane në Ballkan. Sa më takon mua, mendoj se njerëzit në Uashington nuk duhet të harrojnë kurrë se sa fantastike është historia jonë dhe se me çfarë ndienjë strategjike nisi dhe përfundoi, nga njëra administratë tek tjera, e kështu me radhë. Unë mendoj se Ballkani Perëndimor është platforma më e mirë për t’i treguar botës se është e mundur që të kemi demokraci, të drejta të njeriut, të kemi shtete ligjore, në një vend ku ka myslimanë, ku ka të krishterë, ku ka njerëz të vështirë që të urrejnë sepse të duan, e anasjelltas. Në të njëjtën kohë, është një histori suksesi që nuk duhet marrë si e mirëqenë, që nuk duhet prishur, sepse gjithçka nisi kur në fillim ra regjimi komunist dhe më pas, kur një President i madh amerikan mori nismën për të filluar këtë histori suksesi. Por, nisi në një kohë kur fëmijët tanë ishin shumë të vegjël për të mbajtur mend. Kështu që rreziku se ata do ta marrin për të mirëqenë, rreziku që ajo që kemi tani të quhet si diçka që duhet të ishte kështu medoemos është i madh. Rreziku është aty, sepse siç thashë ne nuk jemi më të mirë se paraardhësit tanë, jemi të njëjtët njerëz, të njëjtët shqiptarë, të njëjtët serbë, të njëjtët ballkanikë, por kemi fatin që jetojmë në një situatë tërësisht të ndryshme dhe që të gjithë bashkë duam të integrohemi në Europë. Sot është më e lehtë për lidershipin e secilit vend për thënë t’i popullit të tij se mbase fqinjët që kemi nuk janë më të mirët që do të donim, por duhet të flasim dhe të punojmë me ta sepse kemi të njëjtin qëllim dhe ne nuk do të jemi një vend i integruar europian nëse nuk do të bëjmë paqe. Tani kemi paqe, por na duhet një paqe që ja vlen ta jetosh, siç një tjetër president amerikan ka thënë. Për ta bërë këtë paqe që të vlejë është shumë e rëndësishme, së pari për të parandaluar që “trampizmi” të mos përfshijë edhe Ballkanin, në kuptimin që nuk mund të largojmë myslimanët, nuk mund të largojmë emigrantët, nuk mund të zbojmë fqinjët e kështu me radhë dhe në të njëjtën kohë, në themelet e kësaj paqe duhet të punojmë së bashku për të bërë të mundur që Ballkani Perëndimor të jetë sa më shpejt pjesë e projektit europian.
(Ambasadori i USA në Shqipëri Donald Lu)- Amerikanët dashurojnë basketbollin zoti Kryeministër. A ka diçka për të cilin basketbolli ju ndihmon që të jeni një Kryeministër më i mirë? Për të gjithë ata që nuk e dinë, Kryeministri Rama jo vetëm që ka ndërtuar një fushë basketbolli në ambientet e Kryeministrisë, por ai ka vendosur një kosh basketbolli edhe në zyrën e tij, ndaj edhe mund të gjesh në të ndonjë send të thyer.
Kryeministri Rama: Kjo nuk është një çështje për të cilën do të flas nesër me Presidentin Obama; për fusha basketbolli në institucione apo për mënyrën se si basketbolli të ndihmon të jesh më i mirë se të tjerë.
– Ju prekët çështjen e ndikimit rus dhe shpesh herë, kur ndërkombëtarisht flitet për këtë ndikim, Ballkani nuk përmendet. Do të doja të dija mendimin tuaj për mënyrën se si Rusia po përpiqet të influencojë rajonin dhe se çfarë pasojash kjo mund të ketë? Një tjetër pyetje; Shqipëria është shumë e rëndësishme në rajon, por vendet në rajon, përfshi Shqipërinë kanë përjetuar një numër problemesh, që nga koha e tranzicionit, përsa i përket klimës politike. Sa e rëndësishme është, në këndvështrimin tuaj, përballja me këto dy probleme?
Kryeministri Rama: Pikë së pari, mund të them vetëm se ka një qasje më aktive të Rusisë në rajon. Ka një tentativë të qartë për të ushtruar një lloj ndikimi. Nuk them se është e njëjta tentativë në të gjithë vendet, por në disa shtete po bëhet gjithmonë e më e dukshme. Nga ana tjetër, ne duhet të përballemi si vende të rajonit me një sfidë që ka të bëjë me të shkuarën tonë, një sfidë që unë thjesht do ta lidhja me shpejtësinë e integrimit të ish-vendeve komuniste. Është interesante, në këndvështrimin tim, për të parë se si shpejtësia e integrimit të vendeve komuniste është përcaktuar nga e shkuara e tyre. Vende si Polonia, Republika Çeke, Sllovakia, sa për të përmendur disa që iu bashkuan Europës më shpejt, janë vende që e patën më të lehtë për të gjetur pikë lidhje me të shkuarën e tyre, përsa i përket institucioneve, akademive, rrjeteve fetare, etj. Për vende si Rumania dhe Bullgaria, që ishin të fundit që u integruan dhe që trajtohen sot ndonjëherë si “delet e zeza” të procesit të integrimit, integrimi ishte më i vështirë sepse gjetja e pikëlidhjeve me të shkuarën ishte më e vështirë, pasi shteti dhe institucionet që i bëjnë njerëzit të jetojnë në një mënyrë të organizuar ishin shumë më të dobët. Kështu që, nëse për Poloninë, integrimi në Bashkimin Europian ishte një lloj kthimi në të shkuarën e saj, për vendet e Ballkanin Perëndimor është një rrugëtim drejt një destinacioni ku nuk kemi qenë kurrë më parë, sa i takon institucioneve dhe organizimit. Kjo përcakton gjithashtu sfidat me të cilat përballemi. Nëse sot duhet të përballemi me sfida si korrupsioni apo mungesa e vullnetit për t’ju bindur ligjit, kjo ka të bëjë me mungesën e modernizmit. Ndaj, ne duhet të modernizohemi. Sa më modern të jetë një vend, aq më pak hapësirë ka për korrupsionin dhe aq më shumë vullnet ka për zbatimin e ligjit. Përsa i përket klimës politike, ne jemi këtu në Uashington dhe ky nuk është një vend ku ne, ose të paktën unë, nuk ndihem i turpëruar përsa i përket jetës sonë politike. Për të folur troç, unë mendoj që nëse ka diçka që nuk duhet marrë shembull nga Uashingtoni, ajo do të ishte mënyra se si partitë merren vesh për të mirën e vendit. Kjo është diçka të cilën nuk mund ta mësojmë në Uashington, pasi asnjë republikan apo demokrat nuk mund të thotë se sa shumë e duan njëri-tjetrin dhe se sa të gatshëm janë të bashkohen rreth kauzave të rëndësishme. Unë nuk jam krenar për jetën tonë politike, në pikëpamjen se sa konfrontuese është.
– Do të doja të drejtoja pak vëmendjen tek lufta e brendshme ndaj ekstremizmit dhe tek mundësia që Shqipëria ka për të prezantuar një model të bashkëjetesës fetare. A mund të tregoni pak më shumë, se çfarë po bën Shqipëria në lidhje me këtë çështje? Ju përmendët edukimin, si një mjet të rëndësishëm për të luftuar ekstremizmin e brendshëm. Kjo më duket shumë interesante dhe e shoh si një model për vendet e tjera.
Kryeministri Rama: Të falenderoj për pyetjen, e cila lejon të shpjegohet më mirë diçka që mund të keqkuptohet lehtë, kryesisht në shtëpi, sepse jashtë vendit është e mirëkuptuar dhe e gjithëmbështetur. Meqë ra fjala, ne patëm një bisedë shumë të frytshme me Administratoren e Përgjithshme të USAID-it, Gayle Smith mbi mënyrat se si mund të punojmë së bashku për këtë. Është shumë e thjeshtë, më lejoni t’ju them se sa e lehtë është. Pati një sulm terrorist, ku shumë njerëz të pafajshëm u masakruan në qendër të Parisit. Pas kësaj, një numër njerëzish thanë se terroristët ishin myslimanë dhe se për këtë arsye duhet të mbyllen kufinjtë, nuk duhet të lejojmë myslimanët që të bëhen nënshtetas, e kështu me radhë. Papritmas, sondazhet tregojnë se këta njerëz kanë fituar më shumë mbështetje. Si mundet të ndodhë kjo? Si ka mundësi që në një vend aq të qytetëruar, aq të shndërritshëm si Parisi, këta njerëz të fitojnë më shumë mbështetje? Për ta thënë të gjithën, sepse është e pamundur të mos e thuash, si mundet që Donald Trump të jetë dikush, që mund të fitojë emërimin për president të partisë që nxorri President Ronald Reagan? Në këtë moment e kupton që ka një hendek të madh dijesh dhe se ka një hapësirë të madhe ku injoranca, mungesa e dijeve rreth koncepteve të thjeshta mbi besimet dhe mbi besimin e të tjerëve ka krijuar një tokë pjellore për këtë lloj politikë dhe për këtë lloj radikalizimi. Kjo krijon një efekt zinxhir, sepse radikalizimi nga brenda i jep të drejtë atyre që janë në anën e armiqve, pasi pas kësaj ka më shumë muslimanë që ndihen të ofenduar, të frustruar, të margjinalizuar, që ndonëse nuk kanë menduar kurrë të bëjnë diçka ndaj vendit ku jetojnë, në atë moment fillojnë ta mendojnë. Kështu që, është si një efekt zinxhir i krijuar nga injoranca, nga mungesa e dijeve. Kjo është e pamundur të luftohet thjesht me joshjen e parimeve demokratike, si respekti për njëri-tjetrin, etj. Këto tingëllojnë në veshin e radikalëve si “bla bla bla”. Është shumë më e dobishme që njerëzve t’u jepen mjetet për të kuptuar, për të mos qenë injorantë kur dëgjojnë mbi myslimanizmin, mbi krishtërimin, mbi profetë, mbi librat e shenjtë. Ata duhet të kenë një instrument për të thënë: “Prit një minutë, fakti që terroristët vinin nga vende myslimane, nuk do të më bëjë mua që të urrej të gjithë myslimanët në botë”.