Policia ka vënë në pranga autorin e dyshuar të zjarrit që përfshiu një sipërfaqe të madhe toke me pemë frutore, në fshatin Kryeluzaj, Kavajë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, sapo morën njoftimin se mbrëmjen e djeshme, në territorin e fshatit Kryeluzaj, kishte rënë zjarr i cili përfshiu një sipërfaqe të madhe toke me pemë frutore, shkuan menjëherë në vendin ku kishte nisur zjarri.
Falë veprimeve të shpejta hetimore, shërbimet e Policisë bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasit G. B., 47 vjeç, banues në Kavajë.
Arrestimi i tij u bë pasi, duke djegur mbeturina në tokën e tij, zjarri i ka dalë jashtë kontrollit duke përfshirë një sipërfaqe të madhe toke dhe pemë frutore, në fshatin Kryeluzaj.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.