Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali mori pjesë në veprimtarinë “Porto Palermo tjetër-nga kamp, në përkujtim”, organizuar me rastin e Ditës Europiane të Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare.
“Ndihem shumë e nderuar të marr pjesë në këtë veprimtari përkujtimore. 23 gushti është shenjuar nga Parlamenti Evropian si Dita e Kujtesës Europiane për Viktimat e Komunizmit dhe Fashizmit.
Një ditë homazhi e kujtese për ato dhjetëra milionë jetë njerëzore të këputura në mes, ato drama e tragjedi personale të të gjithë shoqërisë njerëzore, të shkaktuara nga këto dy skaje ekstreme të regjimeve dhe ideologjive, dy skaje të së njëjtës humnerë, dy anë të të njëjtës monedhë kriminale siç ishte nazifashizmi dhe komunizmi.
Shpesh këshillohet se për të ecur përpara nuk duhet kthyer koka pas; po aq shpesh thuhet edhe e kundërta: që të kesh siguri dhe garanci për të mos u ripërsëritur e liga në të ardhmen, një sy duhet mbajtur gjithëherë nga e shkuara!
Çfarë harrohet, rrezikon të rikthehet!
Ka vetëm tre dekada e pak që Shqipëria u nda nga diktatura komuniste. Foshnjët e lindura ne atë kufi thyerjeje të historisë tashmë janë prindër e prindërit e tyre, janë gjyshër nipash e mbesash.
Është shumë e vështirë t’i shpjegohet fëmijës së sotëm se çfarë ishte burgu i ndërgjegjes, se çfarë peshe kishte dera e qelisë, sa e errët ishte humbella e galerisë ku punohej skllavërisht, se çfarë makthi ishin telat me gjemba apo sa vriste plumbi që qëllonte në emër të ideologjisë që ndante shqiptarin nga shqiptari; nënën nga biri, motrën nga vëllai, fqinjin nga fqinji. Që i ndante me barriera frike e urrejtjeje, refuzimi e mohimi!
Tre dekada janë nje kohë shumë e gjatë për individin, por janë pak në jetën historike të një kombi. Edhe atëherë kur jeta e sjell që të prekësh pak histori para syve, që bëhet edhe më dramatike ndoshta, pikërisht për shkak të kontrasteve të hatashme.
Porto Palermo, kjo perlë e bregut tonë, dukej si zgjedhja me djallëzore për të detyruar bashkëjetesën e mrekullisë me diell, det e mal dhe makthit me të cilin, pushtuesit dhe sunduesit e këtij vendi, mbyllnin, izolonin e rrekeshin të shtypnin e shuanin kundërshtarët e tyre!
Mundet vetëm ta imagjinosh e ta ndjesh, por jo ta përshkruash, se si mund të jetë një burg, që këtej ka murin që mbyll trupin, andej i jep syrit lirinë që të prekë pafundësinë e horizontit mbi det.
Është kaq e vështirë për të gjithë ne që vijmë nga një kohë tjetër, që të imagjinojmë se si mund të ketë qenë terri i qelisë, në këtë oaz të natyrës me diell që nuk perëndon kurrë. Së paku 13 muaj, 1949-1950, ky vend u tentua të bëhet varr ëndrrash dhe mal vuajtjesh të pafundme njerëzore.
Por, dy Lekët, Pervizi e Mirakaj, që ndodhen këtu, e të tjerët, si të mbijetuar të asaj kohe të egër, janë dëshmia se asgjë në këtë botë nuk mund të jetë më e fortë se qenia njerëzore; se e liga që i ra gurit dhe e theu, i ra njeriut dhe u thye vetë! Sepse njeriu është më i fortë se vetë e liga!
E dashur Genta, të falënderoj për idenë e Autoritetit të Dosjeve që përzgjodhët të ndani me publikun këtë histori në Ditën e Kujtesës, ku krahas dokumenteve arkivorë, do të flasin dëshmitarë okularë të saj.
Një nga ata dëshmitarë të dorës së parë, është dhe biri i Dhërmiut dhe gjithë Shqipërisë, shkrimtari idealist dhe antifashist Petro Marko! Kundërshtar i çdo regjimi, shpirt i lirë nga letërsia dhe ushtar i lirisë, Petro Marko, përpara se të mbyllej në internim në ishullin italian të Ustikës, u internua, siç shkruan vetë ai, në atdheun e vet, në fshatin e tij, shumë pranë kësaj kalaje, në Dhërmiun e Bregut.
Sot, ne rikujtojmë me dhembje e respekt, 82 burrat, 62 gratë dhe 37 fëmijët, të cilët bashkëjetuan me vdekjen në birucat e kësaj kalaje, për 13 muaj.
Ata 82 burra u rrëmbyen përdhunshëm prej shtëpive e punëve të tyre të përditshme dhe kamp pas kampi u syrgjynosën nën muret e kësaj kalaje.
Ato 62 gra u nxorrën pa mëshirë prej shtëpive e kujdesit për fëmijët dhe familjet dhe u degdisën në këto biruca.
37 djem e vajza të mitura, u konsideruan gjithashtu armiq; i ndanë nga fëmijëria dhe i ndrynë dhunshëm në ferrin që urrejtja në emër të ideologjisë, kishte ndërtuar në këtë skaj parajse të natyrës!
Persekutimi komunist është një pjesë e errët e historisë moderne të shqiptarëve. Fatkeqësisht, ende jo e njohur siç duhet; ende e paqortuar dhe kuptuar në gjithë kompleksitetin e saj; pjesë e një tragjedia që pushtoi gati gjysmën e botës dhe e bëri këtë botën tonë të vogël shqiptare të zymtë e tragjike.
Kampi i Porto Palermos është gjithashtu një nga faqet që duhet studiuar, ekspozuar dhe njëlloj si viruset që vriten kur dalin në dritë të diellit, duhet të ndriçohet nga drita e njohjes për t’u ndarë përfundisht me të.
Mbijetesa juaj, të dashur miq, është sa fat individual, po aq dhe një detyrim për të dëshmuar të vërtetën tuaj! Njëlloj si frati i madh At Zef Pllumi, juve ju kurseu e keqja, për të rrojtur e për të dëshmuar mbi të. Edhe falë jush, duke njohur të shkuarën, do të jetë më e sigurt edhe vetë e ardhmja!
Të nderuar miq,
Viktimat dhe të ish të persekutuarit prej regjimit totalitar meritojnë dhe do të vijojnë të meritojnë gjithë nderimin dhe respektin e shoqërisë e të brezave.
Sa më shumë të nxjerrim nga raftet e pluhurosura në dritën e publikut këto histori, aq më vendosmërisht do të ndahemi prej tyre, duke ia lënë ndëshkimin jo urrejtjes e hakmarrjes, por gjykimit të historisë dhe institucioneve demokratike.
Përndekja që preku edhe Petro Markon, shenjoi në mënyrë të njëjtë, si të burgosur edhe komunistët, në fillim kur luftonin për çlirimin e vendit, edhe antikomunistët më pas që dëshironin një Shqipëri me fytyrë nga perëndimi.
Në krye të herës, sipas Direktivës së Jakomonit të datës 5 qershor 1939, se “të gjithë personat të cilët çmohen të rrezikshëm për sigurinë, të internohen nga 1-5 vjet”, vetëm dy muaj pas pushtimit, autoritetet italiane urdhëruan krijimin e fushave e kampeve të internimit në mjaft zona të vendit, mes tyre edhe këtu, në Porto Palermo.
Patriotët e luftëtarët antifashistë, që kishin filluar të organizoheshin kundër pushtuesve, do të provonin të njëjtin fat, edhe në kampet e tjera të internimit, në Shqipëri dhe Itali.
Në këtë vit të 80-vjetorit të çlirimit, nderim e respekt të thellë për patriotët antifashistë, të internuar në kampet e fashizmit, që bashkë me luftëtarët e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, sakrifikuan rininë dhe jetën për lirinë e Shqipërisë.
Më lejoni, zonja e zotërinj, të ndërtoj një paralele për dy nga grupet shoqërore më të goditura prej komunizmit: ish të persekutuarit dhe ish pronarët. E bashkë me ta, edhe vetë idealistët e sistemit. Ata që besuan dhe luftuan në emër të një ëndrre dhe u bënë gjithashtu viktima te saj!
Në emër të drejtësisë sociale, gjatë dekadës së fundit, ligjet, politikat, programet dhe institucionet shtetërore janë marrë në mënyrë të posaçme me këto dy grupe të respektuara, për të vendosur në vend padrejtësitë e totalitarizmit dhe rikthyer të drejtat e grabituara për ish-pronarët dhe jetët e përgjakura për ish të persekutuarit.
Qëllimi ynë është që sa më shumë t’u rikthehen këto të drejta pronarëve, aq më shumë do tua heqim atë damkën e të qenurit “Ish”, që ka qenë një gjyle e rëndë në politikat për drejtësi sociale, sidomos ato të pronësisë.
Qëllimi ynë është e do të jetë që sa më shumë të riintegrohen ish të persekutuarit në jetën dhe shoqërinë demokratike, aq më shumë termi ISH do të mbetet një shenjë e të kaluarës totalitare, një referencë e historisë.
Cilësorin ISH të pronarëve po ua heqim se ata po gëzojnë e do të gëzojnë realisht pronat e tyre.
Cilësori ISH për të përndjekurit do të jetë sepse të përndjekur të rinj nuk ka dhe nuk do të ketë.
Trajtimi i çështjes së viktimave të totalitarizmit, pasardhësve të tyre dhe ish të përndjekurve politikë, në kontekstin e një demokracie liberale, siç është sot shoqëria shqiptare, është një çështje komplekse.
Në radhë të parë, është një çështje politike. Në sensin që shoqëria, shteti dhe institucionet duhet të njohin katërcipërisht përmasat e kësaj traume politike e shoqërore.
Por edhe të krijojmë kushtet që të drejtat dhe liritë të lulëzojnë për të gjithë, që institucionet demokratike t’i forcojmë, që vlerat demokratike të jenë udhëharta e Shqipërisë europiane dhe që në të gjitha këto procese ish të përndjekurit të gëzojnë akses, përfshirje, kontribut dhe prosperitet.
Është një çështje ekonomike. Asnjë kompesim, sado i konsiderueshëm qoftë, nuk mund të kthejë jetët e humbura, të përgjakura e të gjymtuara. Ne duhet të krijojmë dhe synojmë të krijojmë kushtet që liritë ekonomike dhe tregjet e lira të jenë aksesi dhe destinacioni i këtij grupi shoqëror.
Është një çështje ligjore. Në tryezën time si edhe në kalendarin e punës së Kuvendit kemi propozimet për ndryshime në ligjin për trashëgiminë kulturore dhe muzetë, në ligjin për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike, në kuadrin ligjor e nënligjor për pafajësinë, amnistinë, rehabilitimin dhe dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist.
Këto propozime do të kenë vëmendjen time maksimale. Kuvendi do të bëjë më të mirën për të plotësuar e përmirësuar legjislacionin për trajtimin, dinjitetin dhe prosperitetin e ish të përndjekurve, njohjen e trashëgimisë së tyre politike, njerëzore e kombëtare, si pjesë e historisë dhe e trashëgimisë kombëtare.
Duke falënderuar Autoritetin dhe grupet parlamentare për këto propozime, dhe duke qenë se këto çështje nuk janë dhe nuk duhet të jenë çështje partiake, do të synoj mbështetjen dhe konsesusin e të gjithë grupeve parlamentare për shqyrtimin dhe miratimin e tyre.
Është një çështje sociale, e cila presupozon drejtësi sociale dhe nxitjen e kontributit të tyre për kohezionin social të shoqërisë shqiptare.
Është një çështje e edukimit demokratik e qytetar. Që brezat e sotëm dhe të ardhshëm të Shqipërisë të njohin këtë faqe të historisë sonë, e cila do t’i bëjë ata, por edhe ne të gjithëve, të vetëdijshëm dhe të përgjegjshëm që dashuria e mund urrejtjen, e mira të keqen, mirëkuptimi grindjet, toleranca konfliktin, urtësia dhunën dhe interesi publik e kombëtar interesat individuale apo partikulariste.
Prandaj kultura e respektit, paqes dhe pajtimit duhet të edukohet te brezat e rinj, nëpërmjet sistemit arsimor dhe burimeve të tjera edukuese.
Kuvendi do ta konsiderojë këtë një aspekt të rëndësishëm të misionit të tij si edukator publik, demokratik e qytetar.
Dhe së fundi, duke falenderuar edhe njëherë organizatorët e kësaj veprimtarie, shpreh mirënjohjen time dhe të Kuvendit të Shqipërisë për Qeverine Suedeze, Bashkimin Europian dhe Komisionin Ndërkombëtar për të Zhdukurit për mbështetjen e veprimtarive të Autoritetit si edhe për Qeverinë e Zvicrës dhe Fondacionin Konrad Adenauer për mbështetjen që japin ndaj veprimtarive të Kujtesës.
Mirënjohja shkon gjithashtu për komunitetet fetare, për mbështetjen e tyre shpirtërore e njerëzore ndaj lehtësimit të integrimit shoqëror të kësaj shtrese dhe ruajtjes së vlerave të lirisë, drejtësisë e humanizmit”, tha në fjalën e saj Spiropali.