Pasditen e djeshme një mjeke u dhunua në vendin e punë nga disa persona të cilët e akuzonin për mjekim të gabuar ndaj një të afërmi të tyre.
Lidhur me ngjarjen ka reaguar Qendra Spitalore Universitare në Tiranë. Duke dënuar aktin, në këtë reagim QSUT kërkon mbështetjen pacientëve dhe familjarëve të tyre gjatë punës.
Lidhur me dhunën ndaj mjekes, janë arrestuar Igli Spahija dhe Bledar Bali ndërsa janë proceduar në gjendje të lirë tre të tjerë.
REAGIMI:
Shërbimi Infektiv në QSUT “Nënë Tereza” është një ndër shërbimet pararojë që punon me përkushtim ndaj çdo pacienti.
Nisur nga rasti i dhunshëm ndodhur së fundmi ndaj koleges tonë, ne dënojmë dhunën ndaj bluzave të bardha dhe kërkojmë mbështetjen në punën tonë të çdo pacienti dhe familjari, në mënyrë që shërbimi të vijojë normalisht dhe në cilësinë e duhur.
Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” do të vijojë të mbështesë maksimalisht stafet mjekësore në punën e tyre të palodhur duke garantuar sigurinë në vendin e tyre të punës dhe mbrojtjen e dinjitetit profesional të mjekut në shoqëri.