Rreth orës 10:00 të ditës së mërkurë, e shoqëruar nga forca të shumta policie dhe me eskortën e saj, ka mbërritur në qytetin e Vlorës Ivanka Trump, vajza e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Pas takimit të zhvilluar në një nga hotelet e qytetit të Vlorës, dhëndri dhe vajza e presidentit të SHBA-së, Jared Kushner dhe Ivanka Trump, janë ndalur në zonën e hidrovorit në Akerni, një territor i njohur për potencialin e tij të lartë në zhvillimin e turizmit elitar dhe investimeve strategjike.
Të shoqëruar nga arkitektë të njohur dhe nën masa të rrepta sigurie, me praninë e forcave të shumta të policisë, Trump dhe Kushner kanë inspektuar nga afër vijën bregdetare dhe hapësirat përreth hidrovorit në Akerni. Vizita është përqendruar në vlerësimin e terrenit, infrastrukturës ekzistuese dhe mundësive që kjo zonë ofron për projekte të ardhshme zhvillimore.
Zona e Akernisë, e konsideruar prej kohësh si një nga pikat me potencial të madh për investime të rëndësishme turistike, ofron kushte natyrore të favorshme dhe një pozicion strategjik, çka e bën atë tërheqëse për projekte afatgjata në fushën e turizmit dhe zhvillimit ekonomik. Vizita e tyre ka ngjallur interes dhe vëmendje të madhe, duke përforcuar idenë se kjo zonë mund të shndërrohet në një pikë kyçe për investime të ardhshme.
Sipas informacioneve paraprake, Kushner pritet të qëndrojë gjatë gjithë ditës së sotme në Vlorë, ndërsa temat e diskutimit, siç e përmendëm më sipër, lidhen drejtpërdrejtë me projektet e pritshme zhvillimore në qytet dhe zonat përreth, me theks të veçantë në Zvërnec dhe Ishullin e Sazanit, të konsideruara si zona me potencial të lartë strategjik dhe turistik.
Kjo është hera e dytë që dhëndri i Presidentit amerikan Donald Trump viziton Vlorën, ç’ka tregon një interes të vazhdueshëm për këtë zonë dhe për projektet që mund të zhvillohen në të ardhmen.

















