Zbardhet konflikti me armë zjarri që tronditi qytetin e Vlorës ditën e sotme. Burime nga “Panorama” thonë se gjithçka ka nisur një ditë më parë.
Personi që qëlloi me armë zjarri ditën e sotme, kishte patur një konflikt me truprojën e një lokali në vendin e quajtur “Kali i Trojës”.
Ditën e sotme, ai ka tentuar të hakmerret duke shkuar me mjetin e tij drejt lokalit dhe i armatosur me automatik.
Pasi ka gjetur truprojën, agresori ka qëlluar dy herë me breshëri në ajër, mirëpo për shkak se zona ishte mjaft e populluar është përhapur panik.
Agresori ka marrë mjetin dhe është larguar menjëherë nga vendngjarja. Mësohet se ai është identifikuar pasi mjetin e tij e ka braktisur disa metra më larg.
Policia vijon kërkimet për kapjen e tij dhe për zbulimin e motiveve të sherrit.