Një bandë shqiptarësh që ka dërguar njerëz nga Spanja në Mbretërinë e Bashkuar është “shkatërruar” nga autoritetet britanike.
Emigrantët besohet se kanë kaluar nga njëri shtet në tjetrin kundrejt një pagese prej 3.000 deri në 15.000 euro. Mësohet se autoritetet britanike kanë arrestuar shtatë persona përgjatë javës.
Banda ka kontrabanduar kryesisht Emigrantë shqiptarë përmes qyteteve spanjolle, Bilbao dhe Santander, për në Mbretëri të Bashkuar, duke përdorur barka dhe mjete tjera në rrugë drejt qyteteve Portsmuth, Sauthhempton dhe Liverpul.
Autoritetet britanike dhe ato spanjolle kanë identifikuar 50 njerëz që kanë kaluar në Mbretëri të Bashkuar me ndihmën e kësaj bande, ndërsa Agjencia Kombëtare për Krime ka thënë se shifra e saktë nuk dihet ende.
Sipas Agjencisë, emigrantët kanë shkuar nga Shqipëria në Spanjë, mirëpo disa janë rekrutuar edhe në kampet afër porteve spanjolle.
Kontrabanduesit u kanë ofruar atyre akomodim dhe ushqim derisa janë nisur për në Mbretëri të Bashkuar.
Gjatë operacionit hetuesit kanë konfiskuar telefona, kompjuterë, kartela bankare, para të gatshme, dokumente identifikimi dhe pasaporta të kombësive të ndryshme. S
Ndërkaq autoritetet kanë bërë me dije se këtë vit është shënuar shifër rekorde e njerëzve që kanë kaluar Kanalin Anglez me barka të vogla për të hyrë në Mbretëri të Bashkuar – më shumë se 33.500.