Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtorë Ferid Aganin, ish-ministër i Shëndetësisë dhe Gani Shabanin ish-sekretar i kësaj ministrie, me akuzat për shpërdorim detyre dhe korrupsion, lidhur me rastin e njohur si “Stentat”.
Përmes një komunikate për media, Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ish-ministri Ferid Agani është dënuar me 2 vjet e 6 muaj burg, ndërsa ish-sekretari Gani Shabani është dënuar me 2 vjet burgim.
Ish-ministri Agani dhe ish-sekretari Shabani ishin akuzuar se kanë shkelur Ligjin për Prokurim Publik dhe Udhëzimet Administrative të Ministrisë së Shëndetësisë dhe kanë lejuar pagesat për trajtimin e pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore, gjatë viteve 2011-2015. Vendimi i kësaj gjykate mund të dërgohet në Gjykatën e Apelit./Opinion.al