Kuvendi i Kosovës do bëjë sot përpjekjen e katërt për këtë vit, për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.
Pavarësisht faktit që seanca tashmë është caktuar të mbahet sot në ora 16:00, dilemat mbesin ende nëse janë siguruar 80 votat e nevojshme për ratifikim, shkruan REL.
Ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi, është vënë si kusht i pashmangshëm për Kosovën nga Komisioni Evropian për heqjen e regjimit të vizave.
Aktualisht, kjo marrëveshje po mbështetet nga partitë në pushtet, si Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokratike, Aleanca Kosova e Re, si dhe partia opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës.
Por, pavarësisht këtij fakti, brenda këtyre subjekteve politike ka deputetë që po e mbajnë në dilema dhe pikëpyetje votën e tyre për apo kundër Demarkacionit, ndaj gjithë procesi mbetet i komplikuar.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka ftuar deputetët që të votojnë, në mënyrë që me votën e tyre të shmangin izolimin e qytetarëve të Kosovës, si të vetmit në rajon pa liberalizmin e vizave.
Haradinaj ka deklaruar se, jo vetëm vota kundër, por edhe mungesa e një deputeti të vetëm në seancën e së martës, mund të ndikojë në vazhdimin e izolimit.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Greg Delawie iu ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të votojnë sot për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.
Përmes një postimi në Twitter, ambasadori Delawie ka shkruar se raportet në Kosovë tregojnë se rinia dëshiron uljen e papunësisë dhe liberalizimin e vizave.